Punonjësja sfidon vdekjen në “Ditën e Punëtorëve”

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 01.05.2025, 18:25

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve 1 Maji, këtë vit i gjen punonjësit shqiptarë më të ekspozuar ndaj rrezikut dhe pasigurisë se kurrë më parë.

Një video e mbërritur në redaksinë tonë nga qyteti i Lezhës, ilustron qartë këtë realitet: një punonjëse e hotelit “Sikladi” shihet duke pastruar xhamat e katit të tretë të ndërtesës, ndërsa ndodhet në pjesën e jashtme të dritares pa asnjë masë sigurie. Pamjet kanë shkaktuar reagime dhe shqetësim tek qytetarët, sidomos për faktin se kjo ndodh pikërisht në një ditë simbolike që i kushtohet mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve.

Ndërsa rreziku individual mbetet i lartë, edhe statistikat janë alarmante: gjatë vitit 2024, 33 persona humbën jetën në vendin e punës, shifra më e lartë që nga viti 2020. Vetëm në tre muajt e parë të vitit 2025 janë regjistruar 54 aksidente në punë, me 8 viktima.

Dy janë arsyet kryesore të këtij bilanci të rëndë: mungesa e kontrolleve nga institucionet përgjegjëse dhe moszbatimi i masave të sigurisë nga vetë punonjësit dhe punëdhënësit.

Një tjetër tregues i rëndësishëm është edhe numri i orëve të punës. Sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria renditet si vendi me më shumë orë pune në javë në të gjithë Evropën, me një mesatare prej 43.7 orësh, afro 8 orë më shumë se mesatarja e vendeve të BE-së.

Në një ditë që duhet të shërbejë si kujtesë për dinjitetin dhe të drejtat e punëtorëve, realiteti në terren flet për mungesë të theksuar mbrojtjeje dhe kujdesi ndaj jetës së tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit