Britania e Madhe ka ndërmarrë një sulm të përbashkët ushtarak me Shtetet e Bashkuara ndaj milicisë Houthi në Jemen, konfirmuan zyrtarët britanikë të mërkurën. Ky është sulmi i parë që prej rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe nisi një fushatë të intensifikuar kundër grupit të mbështetur nga Irani.
Sipas Ministrisë britanike të Mbrojtjes, sulmi u krye gjatë natës për të “dobësuar aftësitë e Houthive dhe për të parandaluar sulme të mëtejshme ndaj anijeve britanike dhe ndërkombëtare”.
Operacioni vjen në një kohë kur SHBA po shton ndërhyrjet ushtarake në Detin e Kuq, ndërsa Britania, sipas ministrit të mbrojtjes John Healey, është në krah të “aleatit më të ngushtë të sigurisë”. Healey theksoi se sulmet e Houthive po dëmtojnë ekonominë britanike dhe po destabilizojnë të gjithë rajonin.
Gjatë operacionit, avionë luftarakë britanikë "Typhoon" përdorën bomba precize për të goditur një kompleks ndërtesash rreth 24 km në jug të kryeqytetit Sana, ku besohet se prodhoheshin dronët që përdoren për të sulmuar anijet në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit.
Healey deklaroi në Parlament se objektivat u goditën me sukses dhe se nuk ka prova për viktima civile.
Ndërkohë, SHBA ka zhvilluar më shumë se 800 sulme ajrore ndaj objektivave Houthi që nga marsi, si pjesë e operacionit të ri të quajtur “Operation Rough Rider”. Sipas të dhënave amerikane, që prej nisjes së këtij operacioni, numri i sulmeve me raketa dhe dronë nga Houthit ka rënë ndjeshëm.
Pavarësisht bashkëpunimit, mediat raportojnë për tensione pas zbulimit të disa mesazheve të publikuara nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, në aplikacionin Signal, ku kritikonte ashpër vendet evropiane duke i quajtur “parazitë” dhe “të patetikë”.