Banorët e lagjes “Nënë Tereza” në qytetin e Lezhës kanë ngritur shqetësimin e tyre lidhur me gjendjen alarmante të shtyllave të energjisë elektrike në zonë. Përmes denoncimeve të dërguara në redaksinë tonë, qytetarët raportojnë se shtyllat prej druri janë tërësisht të degraduara dhe përbëjnë një rrezik serioz për jetën.
“Prshendetje Joq kjo ka ndodhur ne lezh Te lagjen Nene Tereza Afer stacionit te trenit ndrushe stacioni hekurudhor”, shkruan një qytetar, duke bashkëngjitur një video që tregon shtyllat e rrëzuara.
Një tjetër qytetar rrëfen një ngjarje të rrezikshme që ka përjetuar së bashku me shokët e tij, kur një nga shtyllat u shemb papritur, duke rrëzuar jetën e tij dhe personave të pranishëm. Ai thotë se kjo situatë përbën një kërcënim serioz për jetën e komunitetit dhe veçanërisht të fëmijëve, prandaj kërkon ndërhyrjen e autoriteteve.
“Përshëndetje, Dua të bëj një denoncim për një situatë shumë të rrezikshme në lagjen Nënë Tereza, Lezhë. Të gjitha shtyllat e ndriçimit rrugor në këtë zonë janë prej druri dhe ndodhen në gjendje të degraduar. Sot, për pak sa nuk humbëm jetën unë me shokët e mi , pasi një nga këto shtylla u rrëzua duke sjellë edhe rënien e telave elektrikë në tokë.
Kjo është një rrezik i madh për banorët, veçanërisht për fëmijët dhe kalimtarët që ecin çdo ditë në këtë rrugë. Kërkoj me urgjencë ndërhyrjen e institucioneve përkatëse për zëvendësimin e shtyllave të dëmtuara dhe garantimin e sigurisë elektrike në zonë.
Ju lutem, mos e injoroni këtë çështje nesër mund të jetë shumë vonë”, shkruan ai.
Pamjet tregojnë qartë disa shtylla të rrëzuara njëra pas tjetrës, me telat përcjellës të shpërndarë në tokë, duke përbërë një kërcënim të drejtpërdrejtë për jetën e banorëve. Nevoja për ndërhyrje është e menjëhershme nga ana e OShEE, për të shmangur pasoja tragjike që mund të ndodhin në çdo moment.