Një 68-vjeçar është marr peng në mes të Tiranës nga 5 persona që kanë mbajtur në një banesë të mbyllur në këmbim të 2 mln lekëve të reja për ta liruar.
Edvar Agalliu, 68 vjeç, ra pre e një skeme të mirorganizuar nga disa persona, mes tyre edhe një grua me të cilën kishte nisur një njohje në rrjetet sociale. Sipas hetimeve të Policisë, Nikoleta Begolli, 32 vjeçe, kishte krijuar kontakte me viktimën dhe e ftoi atë në një takim në zonën e “Pazarit të Ri”. Por, në vendin e takimit, Agalliu u rrëmbye me forcë nga tre persona dhe u fut në një automjet, duke u larguar në drejtim të paditur.
Ngjarja ndodhi në rrugën “George W. Bush”, në një nga zonat më të frekuentuara të Tiranës. Më pas, 68-vjeçari u çua në një banesë të braktisur në fshatin Kakunjë, në kufi me Elbasanin, ku u mbajt i izoluar.
Autorët kontaktuan bashkëshorten e viktimës dhe e kërcënuan me jetë bashkëshortin, duke i kërkuar një shumë prej 2 milionë lekësh në këmbim të lirimit. Paratë iu dorëzuan njërit prej të dyshuarve, Bajram Ibraliu, 57 vjeç, në zonën e Saukut.
Policia identifikoi dhe arrestoi të gjithë autorët brenda pak orësh, falë pamjeve të kamerave të sigurisë, të cilat dokumentuan momentin e rrëmbimit. Gjatë kontrolleve të mëvonshme në banesat e të dyshuarve dhe në automjetin e përdorur, policia sekuestroi 1 746 000 lekë, të dyshuara si të marra nga shantazhi.
Të arrestuarit janë: Klinton Sina (21 vjeç), Sulejman Sina (31 vjeç, me precedent penal për vjedhje me dhunë dhe i dashuri i Nikoletës), Idajet Mashollari (21 vjeç), Bajram Ibraliu (57 vjeç), Nikoleta Begolli (32 vjeçe).
Të gjithë janë banues në Tiranë dhe ndaj tyre rëndojnë akuzat për rrëmbim personi, shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie dhe bashkëpunim kriminal.
Policia dhe Prokuroria e Tiranës po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të skemës së pengmarrjes dhe për identifikimin e ndonjë bashkëpunëtori të mundshëm të tjerë.