Një banor nga zona e Valiasit ka ngritur një shqetësim serioz që lidhet me pasojat e tërmetit shkatërrues të nëntorit 2019. Sipas tij, edhe pse kanë kaluar mbi pesë vite nga ajo ngjarje tragjike, zgjidhja për familjet e prekura në këtë zonë mbetet ende pezull.
Qytetari thotë se gjatë tërmetit ai humbi jo vetëm banesën, por edhe biznesin e tij, një bar-kafe i regjistruar ligjërisht dhe që operonte duke paguar të gjitha detyrimet ndaj shtetit. Ai shprehet se, asokohe, autoritetet iu premtuan se përveç banesave do të rindërtoheshin edhe bizneset për të gjithë të prekurit.
"Jemi rreth 13 ose 14 familje në këtë situatë. Bizneset janë rindërtuar, por çelësat nuk na janë dorëzuar. Duket sikur dikush po i mban peng," thotë ai.
Sipas Andit, ndër vite nuk janë marrë as masa lehtësuese për mbështetjen ekonomike të familjeve që humbën bizneset.
“Nuk kemi përfituar bonus apo ndihmë për të mbuluar humbjet nga mungesa e aktivitetit ekonomik. Kam katër fëmijë. Kur kisha lokalin, e mbaja familjen me ato të ardhura. Këto vite kam punuar me ditë sepse nuk kam pasur mundësi të marr një ambient me qira për të rifilluar punën," shprehet ai.
Ajo që sipas banorëve është më shqetësuese, është se ndërtesat ku ndodhen bizneset janë përfunduar, por askush nuk u jep qasje për t'i përdorur. Ata janë interesuar në institucionet përkatëse, por deri më sot nuk kanë marrë asnjë përgjigje apo zgjidhje konkrete.
“Na kanë shkaktuar një dëm të madh ekonomik. Po të kishim mundur t’i rifillonim bizneset tona, do të kishim mbajtur veten pa kërkuar ndihmë,” thotë Andi, duke shprehur zhgënjimin ndaj zvarritjes së situatës.
Banorët kërkojnë që autoritetet të ndërhyjnë sa më shpejt për të zgjidhur çështjen, duke u dorëzuar çelësat e bizneseve dhe duke iu dhënë mundësinë të rikthehen në jetën e tyre normale.