Familja Karaj në betejë për pronën: I afërmi i Majlinda Bregut po më zapton pronën

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 29.04.2025, 16:25

Familja Karaj nga fshati Prezë i Bashkisë Vorë denoncon një situatë të rëndë dhe të padrejtë që lidhet me pronësinë e tokës së tyre. Edhe pse Gjykata e Lartë dhe Gjykata e Apelit kanë vendosur në favor të tyre në një proces të gjatë gjyqësor, sot ata përballen me zaptimin e tokës nga persona të lidhur me pushtetin dhe me rrezikun e largimit nga shtëpia e vetme që u ka mbetur.

Sipas dokumentacionit të vendosur në dispozicion nga Gazmend Karaj, djali i Agim Karajt, i ati rezulton pronar ligjor i një sipërfaqe prej 40,000 m² të ish-serave të Kooperativës Bujqësore Prezë, të blera me akt shitje të datës 14 mars 1992. Për më tepër, dokumentacioni kadastral i vitit 1946 njeh babanë e tij, z. Muharem Karaj, si pronar të një sipërfaqeje toke prej 47 dynymësh (tokë arë, livadh dhe djerrinë) në fshatin Gjeç (Prezë), para reformës agrare.

Megjithatë, përkundër vendimeve të gjykatave, familja Karaj pretendon se janë përballur me zaptim të një pjese të konsiderueshme të kësaj pasurie nga individë me ndikim dhe lidhje politike. Gazmend Karaj thotë se sot familja e tij ka mbetur me vetëm një hektar tokë dhe shtëpinë, e cila gjithashtu rrezikon të uzurpohet.

Më alarmante është situata e fundit: sot në mëngjes, sipas Gazmendit, nëna dhe vëllai i tij janë marrë nga policia, ndërsa familja është në rrezik të plotë pa informacion zyrtar.

Përmes një vendimi të Gjykatës së Lartë, datë 23 nëntor 2022, është refuzuar rekursi i paraqitur nga paditësja Besiana Caka (Karaj) dhe ish-Komuna Prezë kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, që kishte lënë në fuqi pjesërisht vendimin në favor të Agim Karajt. Ky vendim thekson se kërkesat për zgjidhje të kontratës së shitjes dhe rikthim të pronës në fondin e komunës janë hedhur poshtë si të pabazuara në ligj.

Në një prononcim për median, Gazmend Karaj ka bërë një deklaratë të fortë, duke pohuar se një nga personat që po zaptojnë tokën e familjes së tij është i afërm i ish-ministres dhe ish-deputetes Majlinda Bregu. “Kemi bërë çdo hap ligjor, kemi fituar në çdo shkallë të gjyqësorit, por përballë njerëzve që kanë lidhje me pushtetin, drejtësia ngelet në letra. Një prej tyre, që ka hyrë dhe ka uzurpuar tokën tonë, është i afërm i znj. Majlinda Bregu. Askush nuk na mbron,” – tha Karaj.

Ndërkohë që vendimet gjyqësore janë të qarta, zbatimi i tyre në terren duket se përballet me pengesa të rënda, që sipas familjes Karaj, burojnë nga abuzimi me pushtetin lokal dhe lidhje të dyshimta me strukturat e rendit.

Familja kërkon ndihmën e institucioneve shtetërore dhe të mediave për të sensibilizuar opinionin publik dhe për të ndalur atë që ata e konsiderojnë një zaptim të dhunshëm dhe të paligjshëm të pronës së tyre, në kundërshtim të hapur me vendimet e drejtësisë shqiptare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit