Ndërtim i paligjshëm në Shkodër, qytetarja: Ligji po shkelet për pazare votash

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 28.04.2025, 19:13

Në një intervistë për TVA News, Albana Stankaj, një qytetare nga Shkodra, ka denoncuar publikisht një ndërtim të paligjshëm në rrugën “Hamz Kazazi”, i cili jo vetëm që ka shkelur të drejtat e bashkëpronarëve, por ka bllokuar edhe një projekt restaurimi të planifikuar nga Bashkia.

Sipas Stankaj, ndërtimi i paligjshëm është iniciuar para dy vitesh nga z. Kristaq Kolemiço – burri i vajzës së hallës së saj – në ndërtesën trekatëshe të ndërtuar nga gjyshi i saj, Shaban Elez Stankaj, që prej vitit 1942. Ndërtesa është pronë e përbashkët mes saj dhe tri hallave të tjera, por ndërtimi është bërë pa lejen e tyre dhe në kundërshtim me ligjin.

“Kam bërë disa ankesa zyrtare, madje edhe në emisionin investigativ Fiks Fare më 20 shtator 2024, nga ku arrita të nxjerr një vendim zyrtar për prishje – vendimi nr. 995, datë 23.08.2024 – por ai ende nuk po zbatohet,” deklaron ajo.

Për pasojë, projekti i restaurimit të zonës, i planifikuar nga Bashkia e Shkodrës, është pezulluar. Qytetarja shpreh dyshime të forta për ndikim politik dhe korrupsion, veçanërisht në prag të zgjedhjeve: “Siç duket, janë bërë pazare votash ose pagesa nën dorë, sepse ligji po shkelet hapur dhe ndërtimi nuk po prishet,” thotë ajo me shqetësim.

Albana Stankaj kërkon reagim urgjent dhe zbatim të ligjit, duke u bërë thirrje institucioneve të mos tolerojnë më shkelje të tilla që dëmtojnë jo vetëm pronarët e ligjshëm, por edhe zhvillimin urban të qytetit.

Ky rast shton edhe një herë shqetësimin mbi zbatimin selektiv të ligjit dhe nevojën për transparencë të plotë në administrimin e çështjeve pronësore dhe ndërtimore në Shqipëri.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit