Alfred Lela e akuzoi si “lobist të Ramës”, Richard Grenell: Është gënjeshtër, korrigjoje

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 28.04.2025, 17:08

Richard Grenell, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit amerikan Donald Trump, ka mohuar kategorikisht një shkrim të publikuar nga drejtori i zyrës së shtypit të Partisë Demokratike, Alfred Lela, ku Grenell akuzohej si "lobist i padeklaruar" i kryeministrit Edi Rama.

Në një artikull të publikuar nga media e drejtuar nga Lela, pretendohej se Grenell kishte tentuar të organizonte një ndalesë në Tiranë për djalin e Donald Trump gjatë një vizite të tij në rajon, për një takim me kryeministrin Rama. Në realitet, vizita e Donald Trump Jr. u zhvillua vetëm në Beograd, ku ai u takua me Presidentin Aleksandar Vuçiç.

Grenell reagoi me tone të ashpra në rrjetet sociale, duke shpërndarë artikullin e publikuar nga Lala dhe duke kërkuar përgënjeshtrimin e menjëhershëm të informacionit.

“I dashur @AlfredLela, e kuptoj që je vetëm disa ditë larg zgjedhjeve të rëndësishme. E kuptoj që emocionet janë të larta. I kam parë zgjedhjet e tua në heshtje nga stoli, sepse Shqipëria është një aleat i rëndësishëm dhe i besuar i Amerikës në NATO (dhe një nga vendet e mia të preferuara për të vizituar dhe për të kaluar pushimet). Por kjo histori nga media juaj është NJË GËNJESHTËRË TOTAL. Duhet të korrigjohet menjëherë dhe të hiqet nëse ju interesojnë faktet”, shkruhet në reagimin e Granell.

Nga një kontroll i thjeshtë në internet, rezulton se lajmi është fshirë, por deri më tani nuk ka pasur një reagim nga Alfred Lela apo Partia Demokratike.

Ndërkohë, postimi i ish-diplomatit amerikan është shpërndarë edhe nga Donald Trump Jr. në rrjetin social X.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit