Një qytetar i shqetësuar i Tiranës ka denoncuar gjendjen e përkeqësuar të rrugës Pasho Hysa, ku ndodhen në ndërtim komplekset e firmës "Kontakt 21". Sipas tij, rruga ka degraduar në një gjendje të mjerueshme, ndërsa kamionët e kësaj firme janë tërësisht përgjegjës për dëmtimet e shumta që ka pësuar infrastruktura.
"Kamionat e kësaj firme kanë degraduar rrugën në këtë gjendje të mjerueshme, për të mos folur për 'trotuaret' që ngjasojnë me lojën e 'Squid Game'. E pamundur të ecësh në këtë rrugë, si këmbë, ashtu dhe me makinë," – shkruan qytetari në denoncimin e tij. Një tjetër shqetësim i ngritur nga qytetari është mungesa e masave të ndërmarra nga Bashkia e Tiranës, pavarësisht se ata kanë shprehur shqetësimet e tyre në zyrat përkatëse të Njësisë Nr. 1.
"Për më tepër, një hyrje në këtë zonë fillon nga 1530€, ndërsa kushtet janë të tilla që as nuk mund të ecësh në trotuar dhe as të kalosh me makinë," – ka përfunduar qytetari në denoncimin e tij.
Kjo situatë ka ngritur pyetje rreth cilësisë së punimeve dhe mungesës së kontrollit të institucioneve përgjegjëse për zhvillimin e infrastrukturës në Tiranë, duke lënë qytetarët të ballafaqohen me kushte të papranueshme në një nga zonat që është në zhvillim të shpejtë.