Me shall dhe kapele/ Kamerat kanë fiksuar vrasësin e 58-vjeçarit në Vlorë, mister motivi

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 28.04.2025, 11:09

Vrasja e 58-vjeçarit Renato Hoxhaj në Vlorë vijon të mbetet një ngjarje e mbushur me mister. Edhe pse kanë kaluar 24 orë nga momenti i krimit, autoritetet nuk kanë ende asnjë autor të dyshuar dhe nuk kanë arritur të zbardhin motivin e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Deri tani janë marrë në pyetje rreth 10 persona, përfshirë familjarë, të afërm, komshinj dhe kolegë të viktimës. Megjithatë, asnjë prej dëshmive nuk ka rezultuar me informacion të vlefshëm për hetimin, pasi të gjithë e kanë përshkruar Hoxhajn si një njeri të qetë dhe pa konflikte.

Nga deklaratat rezulton se askush në zonë nuk ka parë autorin apo autorët e krimit.

Nga të dhënat paraprake të hetimit, rezulton se Hoxhaj është qëlluar nga shumë afër me armë zjarri, fillimisht në trup për ta neutralizuar, e më pas dy herë në kokë, çka tregon për një qëllim të qartë për ta eliminuar. Një prej kamerave të sigurisë ka arritur të filmojë autorin e kamufluar me kapele dhe mbuluar me shall për të mos zbuluar fytyrën. Nga kamera, shihet se autori ka ardhur nga kodra pas banesës së 58-vjeçarit dhe është larguar nga e njëjta rrugë.

Hetuesit përjashtojnë mundësinë e një akti të rastësishëm. Sipas tyre krimi është kryer me informacion të detajuar mbi lëvizjet dhe vendndodhjen e viktimës. Janë sekuestruar dhjetëra kamera sigurie nga zona përreth dhe po analizohen për të identifikuar ndonjë lëvizje të dyshimtë.

Renato Hoxhaj jetonte prej kohësh me bashkëjetuesen e tij në një banesë në Vlorë. Ai ishte babai i dy fëmijëve nga martesa e parë, ndërsa gruaja e tij jeton në Itali. Prej disa kohësh, 58-vjeçari kishte dalë nga puna si roje, dhe sipas të afërmve, nuk kishte shfaqur shqetësime apo probleme.

Hetimet po vijojnë me intensitet, ndërsa policia mbetet e rezervuar për pistat konkrete që po ndiqen.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit