Mister vrasja e 58-vjeçarit në Vlorë, bashkëjetuesja e tij: S’kishte konflikte

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 28.04.2025, 08:32

Vrasja e 58-vjeçarit Renato Hoxhaj mbetet ende një mister për autoritetet, pasi deri më tani nuk ka asnjë dyshim konkret mbi autorin apo motivin e krimit.

Në një intervistë për mediat, bashkëjetuesja e viktimës, K. Rakipaj, ka rrëfyer detaje nga përditshmëria e të ndjerit dhe momentin kur ka ndodhur ngjarja tragjike.

Ajo ka pohuar se në dijeninë e saj, Hoxhaj nuk ka qenë i përfshirë në konflikte dhe nuk ka shprehur ndonjëherë ndjesinë e kërcënimit. Megjithatë, ajo pranon se kohët e fundit rutina e tij kishte ndryshuar ndjeshëm, pasi ai nuk kishte më një orar të rregullt për të dalë apo për t’u kthyer në shtëpi.

"Ky vinte, shkonte në punë. Dilte ndonjëherë në natë të vona, edhe… unë isha në punë. Ikja në punë unë, në orën 19:30, të darkës, edhe vija deri nga ora 03:00 të mëngjesit. E kur vija e gjeja në shtëpi. Në gjumë. Edhe ngrihej nga gjumi ky, e ikte poshtë te lokali e shkonte pinte kafen aty. Rrinte aty gjatë ditës. Pastaj ikte, lëvizte. Ku di unë nga lëvizte ai. Se unë s’do ruaja atë se nga shkonte".

Çifti bashkëjetonte prej afro dy vitesh në banesën e Hoxhajt, ndërsa Rakipaj tregon se ai kishte rreth një vit e gjysmë që nuk punonte më si roje.

Lidhur me ngjarjen, ajo ka dëshmuar se ka dëgjuar të shtëna arme ndërsa ndodhej brenda banesës, por ka menduar se janë fishekzjarre. Vetëm dy orë më vonë, kur ka dalë nga shtëpia, e ka gjetur Hoxhajn të pajetë dhe ka njoftuar menjëherë ndihmën e shpejtë, por ai kishte ndërruar jetë në vendngjarje.

"Unë s’pash gjë. Unë isha brenda i thashë. Unë e dija se ishin fishekzjarre i thashë. Mendova i thashë se ishin fishekzjarre, mendova. Nuk dola i thashë, se po vishesha. Në atë kohë, i thashë unë, po vishja rrobat, e s’mund të dal. Si do dilja unë".

E tronditur dhe në frikë, Rakipaj është larguar nga banesa ku jetonin bashkë, duke theksuar se ndjehet e pasigurt, pavarësisht mungesës së dijenisë për ndonjë konflikt të mundshëm të viktimës.

Policia po vijon hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit