Një kallëzim i ri ka mbërritur në SPAK, kësaj radhe nga Enver Sinakoli, babai i Ardit Sinakolit, viktimë në masakrën e 3 shkurtit 2021 në Elbasan dhe kunat i Ardian Çapjas. Në dokumentin zyrtar, ai kërkon hetim të menjëhershëm ndaj shefit aktual të qarkullimit rrugor në Tiranë, Roven Zeka, duke e akuzuar për abuzim me detyrën, manipulim provash dhe përndjekje të djalit të tij, Ambri Sinakoli, dhe mikut të tij, Marlen Goxhaj.
Kallëzimi publikohet vetëm pak ditë pas arrestimit të Zekës për një tjetër çështje, ku akuzohet për korrupsion së bashku me dy vartës. Por sipas Enver Sinakolit, problemet me këtë zyrtar të lartë të policisë nuk janë të reja.
Në kallëzimin e tij, Sinakoli rendit dy momente që, sipas tij, provojnë një fushatë të qëllimshme për të goditur të birin dhe shokun e tij me akuza të fabrikuara.
Ngjarja e parë daton më 15 korrik 2023. Pretendohet se Marlen Goxhaj ka qëlluar me armë nga makina. Por, sipas raportit të parë të policisë, në vendngjarje nuk u gjet asnjë gëzhojë apo provë që mbështeste këtë pretendim. Megjithatë, rreth 14 orë më vonë, oficeri Edison Tabaku, i arrestuar tashmë për çështje të tjera, kthehet dhe “gjen” tri gëzhoja, pa ndonjë urdhër nga prokuroria. Kjo, sipas Sinakolit, është një skemë për të inskenuar prova të rreme.
Ngjarja e dytë ka ndodhur më 19 shtator të po atij viti, kur Marlen Goxhaj dyshohet se nuk iu bind një urdhri për ndalim nga policia. Por, siç sqaron Sinakoli, pamjet filmike tregojnë një tjetër realitet: dy automjete luksoze me xhama të zinj, pa asnjë shenjë identifikuese, i bllokojnë rrugën Goxhajt, i cili trembet dhe largohet. Asnjë efektiv policie nuk zbret nga makinat për ta identifikuar veten, dhe ndjekja zgjat deri në një lagje tjetër, ku i riu braktis makinën dhe njofton avokatin.
“Po i përndjekin pa asnjë bazë. Makina të errëta, pa fenelina, pa uniformë. Kush nuk do të largohej në atë situatë?”, shprehet Sinakoli në kallëzim.
Për Enver Sinakolin, rreziku ndaj djalit të tij nuk mbaron me këto dy raste. Ai pretendon se policia është e lidhur me grupe kriminale dhe ka dyshime serioze se po shpërndan informacione për vendndodhjen e Ambrit, i cili ndodhet jashtë vendit. Ai thotë se ka humbur besimin te institucionet lokale dhe kërkon që SPAK të marrë në dorë zbardhjen e këtyre ngjarjeve.
“Nuk jam në gjendje si qytetar i thjeshtë të zbuloj se kush po e ndjek djalin tim. Vetëm një hetim i thelluar i SPAK mund të tregojë të vërtetën dhe të ndalë këto akte të paligjshme që po vijnë nga uniforma të inkriminuara,” përfundon ai.