Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në lagjen nr. 9 të qytetit të Korçës, ku një automjet është djegur plotësisht si pasojë e një veprimi të pakujdesshëm nga një fëmijë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, një 10-vjeçar, duke luajtur në ballkonin e banesës së tij, ka hedhur një tampon shkume të ndezur, i cili ka rënë mbi një automjet të parkuar poshtë.
Si pasojë, mjeti ka marrë flakë dhe është djegur tërësisht.
Pas hetimeve paraprake, i mituri është proceduar penalisht nën akuzën për “Shkatërrim prone me zjarr”. Materialet në lidhje me ngjarjen i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme procedurale.
Ndërkohë, vijon hetimi për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit dhe vlerësimin e përgjegjësive ligjore.