Një nga çështjet më shqetësuese mjedisore në vend duket se po tretet në harresë, mes zvarritjesh procedurale, mungesës së transparencës dhe dyshimeve për ndërhyrje nga nivelet më të larta të pushtetit. Bëhet fjalë për 102 kontejnerët e mbetjeve të dyshuara toksike të kthyer nga Tajlanda disa muaj më parë, të cilat prej kohësh mbahen të magazinuara në zonën e ndotur të Porto Romanos, në Durrës.
Fillimisht, rasti tronditi opinionin publik: një kompani shqiptare, Kurum, kishte eksportuar mbetje që më pas u refuzuan nga Tajlanda për shkak të mungesës së miratimit zyrtar nga autoritetet e atjeshme. Kontejnerët u kthyen në Shqipëri dhe që prej asaj kohe janë nën mbikëqyrjen e policisë, por pa asnjë zhvillim të dukshëm në hetime. Prej muajsh, institucionet heshtin. Nuk ka deklarata zyrtare, nuk ka transparencë, as ndonjë sinjal për veprim konkret.
Një pikë kyçe në këtë skandal është pamundësia – apo mungesa e vullnetit – për të analizuar përmbajtjen e kontejnerëve. Prokuroria, sipas burimeve të afërta me çështjen, ka bërë disa kërkesa zyrtare për identifikimin e një laboratori të certifikuar, por pa sukses. Askush nuk po merr përsipër të analizojë mbetjet, ndërkohë që koha kalon dhe hetimi duket i bllokuar. I vetmi institucion që ka dhënë një përgjigje është Drejtoria e Gjeologji-Minierave, e cila ka pranuar të bëjë vetëm disa nga analizat.
Kujt i intereson që kjo çështje të harrohet? A është bërë asnjë përpjekje për të dërguar mostrat jashtë vendit, nëse laboratorët vendas nuk kanë kapacitet? Pse asnjë institucion nuk jep një deklaratë publike për një problem që mund të ketë pasoja serioze për shëndetin publik dhe mjedisin? Heshtja po krijon një precedencë të rrezikshme dhe sinjalizon një sistem që mbron më shumë përgjegjësit sesa qytetarët.
Vendndodhja e këtyre kontejnerëve shton edhe më shumë shqetësimin. Zona industriale e Porto Romanos ka qenë historikisht një nga më të ndoturat në Shqipëri. Vendosja e mbetjeve të dyshuara toksike aty pa asnjë masë sigurie dhe pa asnjë informacion për publikun është një kërcënim i drejtpërdrejtë për komunitetin përreth dhe për mjedisin në tërësi.
A do të guxojë Prokuroria e Posaçme të hetojë këtë aferë që përfshin ndotje mjedisore, korrupsion, dhe ndoshta krim të organizuar? Apo do të lejojë që dosja të pluhuroset në heshtje?