Një banor i Valbonës, përfaqësues i zërit të dhimbshëm të komunitetit vendas, ka ndarë një video mesazh ku shpreh zhgënjimin, zemërimin dhe keqardhjen që ndajnë të gjithë banorët e kësaj zone të mrekullueshme të Alpeve Shqiptare. “Na e morët Valbonën!”, thotë ai, i indinjuar nga shkatërrimi që, sipas tij, po i bëhet një prej perlave natyrore të vendit.
“Shqiptarët anë e mbanë janë përpjekur me mund të investojnë në turizmin malor. Kanë sakrifikuar, kanë ndërtuar me duart e tyre, kanë sjellë jetë në zonën tonë. Por gjithë kjo përpjekje është çuar dëm. Qeveria dhe oligarkët kanë shkatërruar gjithçka”, dëgjohet të thotë banori në videon e shpërndarë.
Kjo nuk është hera e parë që Valbona, një zonë me potencial të jashtëzakonshëm turistik dhe ekologjik, përmendet në lajmet për ndërtimin e hidrocentraleve. Por, këtë herë, fjala nuk është vetëm për natyrën, por për jetën e njerëzve, për shpresën e djegur dhe për pasojat që tashmë po ndihen.
Sipas banorëve, ndërtimi i tre hidrocentraleve në zonë ka sjellë pasoja të rënda dhe të pakthyeshme. “U zhduk biodiversiteti. Tubat janë të çara, bashkohen ujërat e zeza me ujërat e bardha – është bërë një rrezik i madh, për ne dhe për turistët që vijnë”, vijon banori.
Kjo situatë e alarmante nuk përbën vetëm një kërcënim për mjedisin, por një sulm të drejtpërdrejtë ndaj vetë zemrës së turizmit malor në Shqipëri. Valbona, që dikur ishte simbol i natyrës së paprekur, sot përballet me një realitet të dhimbshëm.
Një tjetër shqetësim që thekson banori në mesazhin e tij është ndotja dhe mungesa e infrastrukturës minimale për mirëmbajtjen e zonës. “S’ka as kosha plehrash. Turistët që vijnë shohin pelenat e fëmijëve në rrugë, mbeturina gjithandej. Ky është imazhi që Shqipëria po jep?”, pyet ai, me një ton që përzien dëshpërimin me zemërimin.
Një banor i Valbonës, përfaqësues i zërit të dhimbshëm të komunitetit vendas, ka ndarë një video mesazh ku shpreh zhgënjimin, zemërimin dhe keqardhjen që ndajnë të gjithë banorët e kësaj zone të mrekullueshme të Alpeve Shqiptare. “Na e morët Valbonën!”, thotë ai, i indinjuar nga… pic.twitter.com/q621YAXdyt
— JOQ Albania (@JoqAlbania) April 26, 2025