Në prag të zgjedhjeve të 11 majit, partitë politike dhe kandidatët për deputet kanë intensifikuar fushatat e tyre në rrjetet sociale, duke investuar shuma të konsiderueshme për sponsorizimin e mesazheve dhe takimeve të tyre në platformën META (Facebook & Instagram).
Sipas të dhënave të publikuara nga Skyweb.al, rezulton se, ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2021, Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama nuk kanë shpenzuar asnjë qindarkë për reklamat në META deri më 22 prill 2025.
Strategji të ngjashme ka ndjekur edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndërsa vetë PD ka nisur shpenzimet vetëm gjatë muajit të fundit, me një total prej rreth 900 dollarësh.
Në kontrast me këtë qasje të re të partive kryesore, kandidatët që synojnë të sigurojnë mandate në këto zgjedhje po shpenzojnë shuma të mëdha për të forcuar praninë e tyre në rrjetet sociale.
Në krye të listës së shpenzimeve renditet Agron Shehaj, kreu i Partisë “Mundësia”, i cili ka investuar 25,967 dollarë në platformën META nga 23 janari deri më 22 prill 2025. Në total, që nga marsi 2021, Shehaj ka shpenzuar 66,483 dollarë për reklama në Facebook dhe Instagram, duke mbajtur një mesatare ditore prej 400–500 dollarësh vetëm gjatë javës së fundit.
Në vend të dytë renditet Jorida Tabaku në listën e hapur të PD, e cila ka shpenzuar rreth 13,300 dollarë gjatë 90 ditëve të fundit përmes dy faqeve të ndryshme. Që nga viti 2021, shpenzimet totale të saj në META arrijnë në rreth 13,500 dollarë.
Grigels Muçollari, kandidat i PD-së, mban vendin e tretë me shpenzime prej rreth 8,800 dollarësh, ndërsa Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) renditet në vend të katërt me një total prej 6,000 dollarësh.
Muçollari dhe PDIU kanë shtuar ndjeshëm shpenzimet gjatë muajit të fundit, me një mesatare prej rreth 200 dollarësh në ditë.
Më tej renditen:
-Taulanda Jupi (Koalicioni Euroatlantik) me 4,500 dollarë
-Vullnet Sinaj me 4,200 dollarë
-Gazment Bardhi dhe Endri Hasa me nga 4,000 dollarë secili
-Shqipëria Bëhet dhe Endri Shabani me nga 3,900 dollarë secili
Shpenzime të tjera:
-Andia Ulliri (PD) me 1,800 dollarë
-Bujar Leskaj me 1,600 dollarë
-Vasil Llajo me 1,400 dollarë
-Akil Kraja (Aleanca për Shqipërinë Madhështore) dhe Pëllumb Seferi (Koalicioni Euroatlantik) me nga 1,000 dollarë secili.
Shënim: Në krye të listës figuron Ambasada Britanike në Tiranë, e cila ka sponsorizuar fushata informuese për të ndaluar emigrimin e paligjshëm drejt Britanisë së Madhe, pa patur lidhje me fushatën elektorale.