Roma ka përjetuar një nga momentet më prekëse të historisë së saj të re, teksa mijëra besimtarë janë mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit Papa Françeskut. Me një ceremoni të thjeshtë, larg shkëlqimit tradicional të Vatikanit, Ati i Shenjtë u përcoll për në banesën e fundit në Bazilikën e Santa Maria Maggiore, duke u bërë Papa i parë në më shumë se një shekull që varroset jashtë Vatikanit.
Procesioni solemn nisi nga Vatikani dhe përshkoi rrugët e Romës me ritmin e ecjes, duke kaluar pranë monumenteve ikonike si Forumi Romak dhe Koloseu. Mijëra njerëz e shoqëruan arkivolin përgjatë rrugës, duke i dhënë lamtumirën me lot dhe lutje. Rruga përfundimtare për në bazilikë ishte një bulevard i rrethuar me pemë, përtej lumit Tiber, në një prej lagjeve më të vjetra të Romës.
Në vend të ceremonisë tradicionale në Sheshin e Shën Pjetrit, Françesku kishte zgjedhur një varrim privat në dhomën e tij të thjeshtë, nr. 201 në Domus Santa Marta, ku jetoi gjatë gjithë pontifikatit të tij. Arkivoli ishte prej druri të thjeshtë dhe i mbushur me zink, duke shmangur përdorimin e tre arkivoleve ceremonialë që përdoren zakonisht për papët.
Një tjetër detaj prekës ishte veshja mortore e Papës: ai mbante të njëjtat këpucë të zeza të thjeshta dhe të veshura që kishte përdorur për vite me radhë në daljet e tij publike, në vend të pantoflave të kuqe tradicionale – simbol i autoritetit papnor. Manteli i tij ishte krijuar nga Filippo Sorcinelli, stilist dhe artist italian, i njohur për bashkëpunimet e tij me Vatikanin.
Ceremoninë e lamtumirës e drejtoi Kardinali Giovanni Battista Re, i cili në fjalimin e tij emocionues kujtoi momentin e fundit publik të Papës, gjatë të dielës së Pashkëve. “Edhe pse në gjendje të rënduar shëndetësore, ai zbriti në shesh dhe përshëndeti turmën nga papamobili i hapur. ‘Mos harroni të luteni për mua’, ishte amaneti i tij i fundit”, tha Kardinali.
Në fund të ceremonisë, Re i kërkoi Papës që tani të lutet për Kishën dhe për gjithë njerëzimin nga qielli, ashtu siç e kishte bërë gjithmonë me zemër të hapur nga ballkoni i Shën Pjetrit.
Edhe pse varrimi nuk do të transmetohet drejtpërdrejt, publiku do të ketë mundësinë të vizitojë bazilikën nga mëngjesi i së dielës. Jashtë saj do të mbahet një rruzare për të gjithë ata që dëshirojnë të luten dhe të nderojnë jetën dhe trashëgiminë e Papës së përulësisë.