Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, dhe ai i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, zhvilluan sot një takim kokë më kokë gjatë qëndrimit në Vatikan, ku po marrin pjesë në ceremoninë mortore të Papa Françeskut.
Takimi ndodhi pak çaste para nisjes së ceremonisë dhe, sipas raportimeve, biseda mes dy liderëve është vlerësuar si “produktive”. Ky takim dypalësh vjen në një moment kritik, pasi negociatori për paqen i presidentit Trump, Steve Witkoff, zhvilloi një takim të premten me presidentin rus Vladimir Putin në Kremlin.
Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë të ditura detaje mbi diskutimet, por është paralajmëruar një tjetër takim mes Trump dhe Zelenskyy pas përfundimit të funeralit.
Takimi i sotëm shënon gjithashtu përballjen e tyre të parë të drejtpërdrejtë që nga muaji shkurt, kur u takuan në dhomën Ovale ku zhvilluan një debat që bëri "xhiron" e botës për shkak të deklaratave që u transmetuan live në media.