Njëri në qeli, tjetri në qeveri. Historia e dy shokëve të pandashëm për më shumë se dy dekada, Erion Veliaj dhe Arbjan Mazniku, ka marrë një kthesë dramatike, duke nxitur spekulime për prapaskena, tradhti dhe një "Nesti Angoni" misterioz që ka tronditur Bashkinë e Tiranës.
Erion Veliaj, ish-kryebashkiaku i Tiranës, ndodhet pas hekurave prej 10 shkurtit 2025, i arrestuar nga BKH për akuza të rënda korrupsioni dhe pastrimi parash të lidhura me lejet e ndërtimit. Ndërkohë, Arbjan Mazniku – krahu i tij i djathtë për më shumë se 25 vite – jo vetëm që nuk u prek nga skandali, por u ngrit në postin e Ministrit të Pushtetit Vendor në kabinetin e Edi Ramës.
Kjo ndarje e beftë mes fatit të dyshes ka ngritur pikëpyetje serioze. Në korridoret e bashkisë, ironia e zezë ka marrë formën e një batute: “Në aramisht të vjetër, Arbian do të thotë Nesti” – një thumbim që nënkupton se pas identitetit anonim “Nesti Angoni”, që dorëzoi informacione kyçe për hetimin e Veliajt, mund të fshihet pikërisht Mazniku.
Mazniku dhe Veliaj ishin miq të hershëm, që nga koha e gjimnazit, bashkëthemelues të organizatave si “Mjaft” dhe “G99”, përfaqësues të brezit të ri që përqafoi karrierën politike nën hijen e Edi Ramës. Veliaj u bë ministër, më pas kryebashkiak. Mazniku u kthye në zëvendësin e tij të besuar – “eminenca gri” që tërhiqte fijet pas çdo vendimi të madh në bashki, përfshirë edhe aferën famëkeqe të inceneratorëve.
Por gjithçka ndryshoi në 2022, kur Rama “shkëputi” Maznikun nga bashkia dhe e afroi në qeveri. Ndërsa Veliaj përballej me hetime, Mazniku shijonte heshturazi përfitimet e pozicionit të ri. Në kulmin e përpjekjeve politike për ta rikthyer Veliaj në liri, Mazniku nuk dha asnjë shenjë mbështetjeje publike.
Edhe kur më në fund foli në intervista televizive, deklaratat e tij ishin të ftohta dhe të kujdesshme – larg nga një mbrojtje që dikush do ta priste nga një mik i vërtetë. “PS nuk bëhet mburojë për kolegët që përballen me drejtësinë,” u shpreh ai në “Top Story”, ndërsa në një tjetër dalje, tentoi të zbusë qëndrimin duke thënë se arrestimi i Veliajt “ka qenë një përjetim shumë traumatizues”.
Ndërkohë, vetë Veliaj – sipas përgjimeve të publikuara – nuk ka pasur fillimisht dyshime mbi Maznikun, duke e përmendur si kontakt të besuar në komunikimet me familjarët. Por në rrethin e ngushtë të mbështetësve të Veliajt, etiketa “tradhtar” tashmë ka filluar t’i ngjitet fort Maznikut.
A është Mazniku thjesht një politikan që dinte kur të largohej? Apo është ai “Nesti” që ndihmoi prokurorinë të rrëzonte mikun e tij të vjetër për të ruajtur karrierën e vet?
Për momentin, pyetjet mbeten pa përgjigje. Por rruga që për një çerek shekulli ishte e përbashkët, sot ndodhet në dy skaje të ndryshme: njëra përfundon në burg, tjetra të çon në kabinetin qeveritar.