Gjatë një takimi elektoral të zhvilluar në Borsh, ku kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, prezantoi programin e PD dhe kërkoi mbështetjen e banorëve për zgjedhjet e 11 majit, ka spikatur një moment i pazakontë.
Një mbështetës i Berishës, me gotën e rakisë në dorë, ka marrë fjalën përpara liderit demokrat dhe të pranishmëve, duke shprehur mbështetjen e tij të palëkundur për Berishën, pavarësisht se, siç tha vetë, ka respekt edhe për kryeministrin Edi Rama.
“Kam qenë shofer i Majlinda Dhukës, kam respekt për atë, pas Ramës vinte, apo më mbrapa ç’rëndësi ka. Kam punuar në kohën e Sali Berishës, kam qenë shumë i kënaqur, kam qenë shoqërues i Gazment Nokës, borshiot. Brenda 30 vitesh jam shtruar 30 herë në psikiatri. Dhe për Edi Ramën kam respekt, por sa kam për Sali Berishën nuk kam për asnjë në botë”, tha ai.
Deklarata e tij u prit me të qeshura dhe duartrokitje nga të pranishmit, ndërsa Berisha vazhdoi fjalimin e tij duke theksuar nevojën për ndryshim dhe përkrahjen që, sipas tij, i duhet forcës opozitare për të rikthyer shpresën në vend.