Në një denoncim të bërë nga një qytetare, Instituti i Higjienës është përshkruar si një vend ku nuk është ruajtur asnjë standard higjienik, përkundrazi ka kushte të papranueshme. Sipas qytetares, stafi i institutit është shumë mikpritës, por kushtet fizike të ambientit janë jashtë çdo standardi.
Muret e Institutit të Higjienës i ka mbuluar myku, lagështira dhe pisllëku. Koshi i vendosur aty jashtë, i mbushur plot me bishta cigaresh. Një neglizhencë totale e higjienës brenda institutit me të njëjtin emër.
Ai ka një rol të rëndësishëm në ruajtjen e shëndetit publik dhe edukimin e popullatës për higjienën, realiteti që pasqyrohet në këtë denoncim është një kontradiktë midis misionit që shkruhet në letër dhe syve të mbyllura të autoriteteve. Kjo ngre pyetje mbi efikasitetin e institucioneve të shëndetit publik dhe mundësinë që qytetarët të mbështeten te shërbimet që ofrohen në kushte të tilla.