Ish-drejtoresha e Spitalit Rajonal Dibër, Irini Shehu, është lënë në masën e sigurimit “arrest shtëpie” pas arrestimit të saj më 23 prill të këtij viti. Ky vendim është marrë pas denoncimeve të shumta të bërë nga mjekë të spitalit, të cilët kanë raportuar kërcënime dhe fyerje nga ana e Shehut.
Përveç akuzave për kërcënime ndaj personelit mjekësor, Shehu dyshohet se ka dhunuar edhe shefin e financës së spitalit. Ky i fundit ka denoncuar rastin në Policinë e Dibrës, duke detajuar se pas një konflikti verbal, Shehu e ka goditur atë me një send të fortë në fytyrë.
Policia ka njoftuar se në përfundim të hetimeve të para, ka nisur procedimi penal ndaj Shehut për veprën penale "Plagosja e lehtë me dashje". Çështja është referuar në Prokurorinë e Dibrës për veprime të mëtejshme. Rasti ka tërhequr vëmendje për përfshirjen e një figure të lartë të sistemit shëndetësor, ndërkohë që autoritetet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjeve që kanë ndodhur në spitalin rajonal të Dibrës.