SPAK refuzon të hetojë Olta Xhaçkën dhe Artan Gaçin

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 25.04.2025, 12:54

Pas urdhrit të Gjykatës së Posaçme për regjistrimin e procedimit penal ndaj ish-ministres Olta Xhaçka dhe bashkëshortit të saj Artan Gaçi, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ankimuar vendimin në Apelin e Posaçëm Antikorrupsion.

Sipas SPAK, janë kryer veprime të shumta hetimore, përfshirë verifikimin e rolit të Artan Gaçit lidhur me ekzistencën e dokumenteve të dyshuara si të falsifikuara, përmes të cilave është përfituar tokë në formën e truallit. Organi i akuzës thekson se nuk ka asnjë provë konkrete që të lidhë përfitimin e pronave të sekuestruara apo të konfiskuara me detyrën shtetërore të Olta Xhaçkës në kohën e ngjarjes.

Në ankimimin e paraqitur, prokurori Ols Dado argumenton se çështja ka kaluar më herët në shqyrtimin e Gjykatës së Posaçme gjatë procesit penal nr. 189/2023, në të cilin u vendos dërgimi për gjykim i Jorgo Goros, bazuar në provat e mjaftueshme që mbështesin akuzat.

Sipas Dados, gjykata nuk ka konstatuar mangësi në hetimin paraprak për të përfshirë edhe Xhaçkën dhe Gaçin, siç kërkon paditësi Fredi Beleri. Në vendimin për mosfillimin e hetimeve, SPAK thekson se procedimi penal ndaj Goros ka qenë nën kontroll të vazhdueshëm gjyqësor, duke përjashtuar nevojën për hetime shtesë.

Prokuroria e Posaçme e cilëson vendimin e GJKKO-së si të pambështetur në prova dhe në kundërshtim me ligjin, duke kërkuar ndryshimin e tij të plotë.

Më 28 shkurt, GJKKO urdhëroi SPAK të niste hetim penal ndaj Artan Gaçit për “falsifikim dokumentesh” dhe “pastrim parash”, të kryer në bashkëpunim, si dhe ndaj Olta Xhaçkës për “shpërdorim detyre”. Vendimi erdhi pas ankesës së ish-kryebashkiakut të Himarës, Fredi Beleri, i cili kërkoi zgjerimin e hetimeve në lidhje me kallëzimin e tij ndaj Jorgo Goros, i cili ndodhet në burg prej marsit 2023.

Seanca e Apelit pritet të zhvillohet këtë të premte, ku gjyqtarja Ilirjana Olldashi do vendosë nëse do pranojë ankesën e SPAK apo do lërë në fuqi vendimin për nisjen e hetimeve ndaj çiftit Xhaçka-Gaçi.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit