Një incident elektoral mes bluve është regjistruar në Ostren të Dibrës, ku deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, është përfshirë në një përplasje fizike me zyrtarin lokal Kalosh Murra.
“Nuk e godita unë por nipi, ai e bëri për vetëmbrojtje”, ka deklaruar Mziu përpara hetuesve të policisë vendore të Dibrës, pas ngjarjes së ndodhur rreth orës 13:00, pas përfundimit të një takimi elektoral.
Sipas burimeve zyrtare, pas përfundimit të aktivitetit politik, Xhelal Mziu, nipi i tij dhe disa persona të tjerë janë rikthyer pranë ambienteve të jashtme të njësisë administrative Ostren. Në të njëjtën kohë, aty ndodhej edhe Kalosh Murra, përgjegjësi i ndihmës ekonomike në zonë.
Ngjarja ka ndodhur pas mbledhjes se shtabit elektoral të PD Gollobordë.
“Murra ishte në derën e zyrave të njësisë administrative kur Xhelal Mziu është shkëputur nga grupi dhe ka vrapuar duke grushtuar punonjësin”,-deklaruan dëshmitarët.
Policia bën me dije se Mziu i është drejtuar Murrës me fjalët: “Po ti çfarë po kërkon këtu?!?”, çka ka çuar në një debat verbal që më pas degjeneroi në përleshje fizike.
Sipas kallëzimit të bërë nga Kalosh Murra, ai është dhunuar nga deputeti dhe nipi i tij. Hetimet për ngjarjen janë tashmë në duart e SPAK-ut, i cili ka marrë në shqyrtim rrethanat e incidentit ku përfshihet edhe një përfaqësues i Kuvendit të Shqipërisë.