Qentë endacakë shtohen, vaksina e tetanozit zhduket

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 25.04.2025, 11:13

Një nënë nga Elbasani ka bërë një apel urgjent për shtetin lidhur me rrezikun që paraqesin qentë endacakë dhe mungesën e vaksinave në Shqipëri, duke ndarë një histori tronditëse për ngjarjen e ndodhur me djalin e saj.

Para disa netësh, djali i saj, teksa kthehej nga puna, u sulmua nga një grup qensh të mëdhenj tek Parku Rinia në Elbasan. Ai u kafshua dhe u tërhoq zvarrë prej tyre por fatmirësisht shpëtoi dhe u largua me shpejtësi.

Ajo që e ka shqetësuar më shumë këtë nënë, është mosndihma e ofruar nga autoritetet. Edhe pse djali i saj kërkoi ndihmë nga një fugon policie që po kalonte në rrugë, policët nuk ofruan asnjë lloj mbështetjeje, duke i thënë se nuk mund të bënin asgjë. Pas mjekimit të parë në spital, u vu re një tjetër problem – mungesa e vaksinës së tetanozit, e cila nuk ishte e disponueshme në spital dhe nuk gjendej në farmaci. Pas përpjekjeve të shumta, me ndihmën e miqve, familja e djalit gjeti vaksinën.

Nëna thotë se kjo ngjarje vjen pas një tjetër incidenti, ku babai i saj ishte sulmuar nga një qen endacak në park, dhe po ashtu, vaksina e tetanozit i erdhi nga jashtë Shqipërisë.

Ky fenomen i mungesës së vaksinave dhe rritja e numrit të qenve endacakë po paraqesin një rrezik real për sigurinë e qytetarëve shqiptarë, thotë ajo.

Në përfundim, ajo kërkon një përgjigje të menjëhershme nga shteti për përmirësimin e situatës:

"Qentë endacakë dhe mungesa e vaksinave janë kërcënim real për jetën e qytetarëve. Shteti duhet të marrë masa urgjente për të mbrojtur sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve dhe për të siguruar që vaksinat e domosdoshme të jenë të disponueshme në çdo spital dhe farmaci".

Mesazhi i plotë:

Unë jam një nënë nga Elbasani. Para tre netësh, rreth orës 11:30 të natës, djali im po kthehej nga puna për në shtëpi me një koleg. Ndërsa po kalonin përmes parkut të rinisë, iu sulën 7-8 qen të mëdhenj. Ata e kafshuan dhe e tërhoqën zvarrë, duke e lënë të plagosur. Kur e imagjinoj atë skenë, më iken mendtë, sepse vetëm një prind mund të kuptojë dhimbjen që kam përjetuar.

Pas shumë përpjekjeve, djali arrin të shpëtojë nga kafshët dhe ndërsa po shkon në shtëpi, sheh një fugon policie dhe ndalon për të kërkuar ndihmë. Por policët, më keq se kafshët, i thonë se nuk mund të bëjnë gjë, se janë vetëm policë, jo ambulancë. Në fund, ata e lanë djali në mes të katër rrugëve, pa asnjë ndihmë. Shkon në spital, ku priste për më shumë se një orë që mjekët të zgjoheshin dhe të mund ta mjekonin. Kur erdhi në shtëpi, djali ishte i dëmtuar, por edhe unë, si nënë, ndjeva një dhimbje të pafund, që ishte më e fortë se çdo plagë që ai mund të kishte.

Të nesërmen, e çova përsëri në spital për trajtim dhe për vaksinën e tetanozit. Por kur pyeta për vaksinë, mjeku më tha se nuk kishte, dhe që ajo vaksinë nuk ekzistonte më. U shtang dhe nuk dija çfarë të bëja, duke parë gjendjen katastrofike të djalit.

Pas shumë mundimesh dhe përpjekjesh me miq e shoqëri, më në fund u gjet vaksina, por ajo nuk ishte e lehtë për t'u siguruar. Duhej të kishe miq të fortë për ta gjetur. Pas një telefonate me mjekun, ai tha që një mik mund ta sillte vaksinë, pa e ditur se ishim ata që na larguan atë natë.

Konkluzioni që mund të nxjerr është se janë shtuar qentë endacakë dhe po ashtu është zhdukur vaksina e tetanozit. Para dy muajsh, babai im u sulmua nga një qen po ashtu në park. Vaksinën e tetanozit e solli motra nga Greqia, sepse në Shqipëri nuk mund ta gjenim. E pyetëm edhe në Tiranë, dhe atje na thanë që nuk ka vaksina.

Kjo është një situatë që kërkon vëmendje urgjente nga autoritetet për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit