Dy net me gjumë jo të mirë janë të mjaftueshme për ta bërë dikë të ndihet disa vite më i vjetër, sipas një studimi të ri të publikuar nga shkencëtarë suedezë.
Hulumtuesit në Karolinska Institute në Stokholm zbuluan se njerëzit që flinin vetëm katër orë për dy net rradhazi, ndiheshin mesatarisht mbi 4 vite më të vjetër se mosha e tyre reale. Disa madje pretenduan se ndiheshin dekada më të moshuar për shkak të lodhjes.
Në të kundërt, kur lejoheshin të flinin për nëntë orë në natë për dy net, ata ndiheshin mesatarisht tre muaj më të rinj.
“Gjumi cilësor është çelësi për të mos ndjerë moshën reale,” tha Dr. Leonie Balter. “Edhe vetëm dy net me gjumë të dobët kanë ndikim të ndjeshëm në perceptimin tonë për veten.”
Sipas saj, ndjenja e të qenit më i vjetër se mosha reale mund të ndikojë negativisht në shëndet, pasi shoqërohet me ushqyerje të pashëndetshme, mungesë aktiviteti fizik dhe hezitim për të marrë pjesë në aktivitete sociale.
Studimi u krye në dy faza: në të parën, 429 persona nga 18 deri në 70 vjeç raportuan sa herë kishin fjetur keq gjatë muajit të fundit. Çdo natë me gjumë të dobët u shoqërua me një ndjesi mesatare prej 3 muajsh më të vjetër.
Në pjesën e dytë të studimit, 186 vullnetarë nga 18 deri në 46 vjeç u pyetën se si ndiheshin pas dy netëve me gjumë të bollshëm dhe dy netëve me vetëm 4 orë gjumë. Pas netëve me gjumë të kufizuar, ndiheshin mesatarisht 4.44 vite më të vjetër.
Interesant është fakti se "tipat e mëngjesit" (që zgjohen herët) ndiheshin më të plakur pas gjumit të keq, ndërsa “tipat e mbrëmjes” (që rrinë vonë zgjuar) ndiheshin më të moshuar në përgjithësi, edhe pas gjumit të mirë.
Dr. Balter shton: “Nëse mund të ndikojmë që njerëzit të ndihen më të rinj, kjo mund të sjellë më shumë energji, dëshirë për përvoja të reja dhe aktivizim fizik e social.”
Ndërkohë, një tjetër studim 10-vjeçar me më shumë se 4000 europianë tregoi se ata që bënin aktivitet fizik të paktën 2 herë në javë, kishin 42% më pak gjasa të përjetonin pagjumësi dhe 55% më shumë gjasa të flinin shëndetshëm çdo natë.
Ky studim, i publikuar në BMJ Open, thekson rëndësinë e aktivitetit fizik të rregullt për një gjumë të mirë dhe jetë më të shëndetshme.