Pas tërmetit me magnitudë 6.2 që goditi 40 kilometra në jugperëndim të Stambollit dhe shkaktoi mbi 180 pasgoditje, shumë banorë të qytetit kaluan natën jashtë nga frika e një tërmeti më të fortë.
Të paktën 236 persona u plagosën, kryesisht gjatë përpjekjeve për të dalë nga ndërtesat ose prej panikut. Banorët u strehuan në makina, parqe dhe tenda të improvizuara, ndërsa ndezën zjarre për t’u ngrohur.
Turqia përshkohet nga dy pllaka të mëdha tektonike dhe tërmetet janë të shpeshta.
Shumë njerëz ende e mbajnë mend tërmetin shkatërrues me magnitudë 7.8 që goditi 11 provinca jugore dhe juglindore dy vjet më parë dhe i mori jetën më shumë se 53,000 njerëzve dhe shkatërroi qindra e mijëra ndërtesa. 6000 njerëz të tjerë vdiqën në pjesët veriore të Sirisë fqinje.
Një sizmolog turk, Dr. Nadzi Gorur, parashikon një tërmet edhe më të fortë se shtatë të shkallës Rihter në Stamboll.
“Ky tërmet pak a shumë do të prekë pjesën e pllakës që pritet të shpërthejë në çarjen e Marmarasë”, tha profesori, i cili ka postuar sërish në rrjetin social X.
Gorur tha se shumë tërmete ndodhin në Stamboll në pllakën e Kumburgazit në Detin Marmara.
“Ata janë të magnitudave të ndryshme. Këta tërmete nuk janë tërmetet e mëdha që presim në Detin Marmara. Por rrisin presionin që grumbullohet në këtë çarje. Tërmeti i vërtetë këtu do të jetë më i madh dhe mbi 7 i shkallës Rihter”, shkroi ai në njoftimin e tij.
Ekzistojnë tre skenarë të mundshëm.
Efthimios Lekas, profesor i gjeologjisë së aplikuar të tektonikës dinamike dhe menaxhimit të fatkeqësive natyrore dhe president i Organizatës Greke për Planifikimin dhe Mbrojtjen nga Tërmetet, tha në një intervistë për ERT-në greke se thyerja specifike që shkaktoi tërmetin u vonua në këputje dhe se për këtë arsye pritet një tërmet më i madh me magnitudë deri në 7 Rihter. Megjithatë, ai ka sqaruar se pllaka nuk është thyer plotësisht nga tërmeti i djeshëm, por vetëm një pjesë është çarë.
“Kur të çahet, gjë që duhet të ndodhë, do të sjellë një tërmet më të madh. Mund të ndodhë nesër ose pas disa muajsh”, theksoi prof. Lekas , ndërsa shtoi se ky proces nuk do të zgjasë shumë.
Një tërmet i fortë në Stamboll zgjoi kujtime e dhimbshme të vitit 1999, kur në Turqi ndodhi një tërmet me magnitudë 7.8 Rihter dhe pak ditë më vonë u prek edhe Athina për shkak të çarjes së pllakës së Parnitës.
Prof. Lekas shprehet se pllaka e Marmarasë, nga e cila e ka origjinën tërmeti i djeshëm, është në gjendje të shkaktojë një tërmet me magnitudë 7 e më shumë të shkallës Rihter.
“Një pjesë e vogël e pllakës u këput dhe shkaktoi një tërmet 6.2, por ka ende një sasi të madhe energjie që duhet çliruar. Ka tre skenarë: i pari është që ky është tërmeti kryesor dhe kemi pasgoditje të shumta. Skenari i dytë është që kemi një tërmet 6.2 dhe më pas një tërmet më të madh dhe tërmeti i tretë është rreth 7 ballë”, tha ai për Shërbimin Publik Grek.
Ai kujton se pllaka e Marmarasë është pjesë e pllakës së madhe të Anadollit Verior, i cili është një nga më aktivët në botë, me një gjatësi totale prej 1500 kilometrash, i cili fillon nga provinca e Bingolit në Turqinë Lindore dhe degëzohet në një distancë prej vetëm 20 kilometrash nga Stambolli, për të përfunduar në Egjeun verior.
“Është një pjesë që nuk është çarë dhe që presim të çahet për pesë vjet. Sa më shumë të vonohet këputja, aq më shumë energji akumulohet. Një pjesë e vogël e këtij pllake është aktive, por në thelb ka zona të tjera që duhet të aktivizohen”, tha ai.