Në një performancë prekëse që do t’i bënte zili edhe Teatrit të Estradës, kryetari i Bashkisë Kolonjë, Erion Isai – dikur humorist profesionist, sot politikan me kohë të pjesshme – ka zgjedhur të shpëtojë Kolonjën me mjetin më të fuqishëm që ka në dispozicion: përqafimin.
Në foton që po bën xhiron e rrjeteve, Erioni shfaqet duke përqafuar një nënë të moshuar, ndoshta si metaforë e lidhjes së tij me qytetarët. Por më e fuqishme se përqafimi është mungesa e dhëmbëve tek nëna – një simbolikë therëse e asaj që Kolonja ka humbur: shëndetin, kujdesin, madje edhe të drejtën për të kafshuar një premtim elektoral kur ai del gënjeshtër.
Sepse ndërsa përqafimet shpërndahen bujarisht para zgjedhjeve, infrastruktura mbetet një kujtim i vagët. Rrugët janë plot gropa, uji një luks, shkollat bosh, dhe spitalet... më mirë mos sëmuresh fare. Banorët ndihen të harruar, por kryetari kujtohet sa herë afron fushata – i dashur, i përzemërt, thuajse romantik. Për disa, një akt hipokrizie. Për të tjerët, thjesht një sketch i gjatë humori që s’ka më as publik, as duartrokitje.
Ironikisht, vetë Kolonja sot ngjan si një skenë e braktisur: në orën 11:00 të paradites në Ersekë, rrugët janë bosh. Jo nga qetësia, por nga emigrimi. Një qytet që dikur gumëzhinte nga jeta, sot frymon si një fotografi e zbehur me filtër nostalgjie. Por mos u shqetësoni – për këtë ka përqafime. Sepse kur njerëzit largohen, përqafon ata që kanë mbetur. E kur ata që kanë mbetur nuk kanë më dhëmbë, qesh me sy, siç bën dhe Erioni.
Në mungesë të rrugëve – një foto. Në mungesë të planeve konkrete – një puthje në faqe. Dhe në mungesë të gjithçkaje tjetër, një përqafim i shpërndarë me kujdes në Facebook.
Dhe në fund, një pyetje filozofike: a mund të ushqehesh me përqafime? Në Kolonjë, duket se po – ose të paktën, s’ka mbetur gjë tjetër.