Një emigrant shqiptar nga Korça, i cili prej 15 vitesh jeton në emigrim në SHBA, ka zgjedhur të thyejë heshtjen përmes një letre të dërguar në redaksinë tonë nga New Yorku. Brenda saj, ai ka shkruar me shkrim dorevargje të fuqishme nga poezia “Hakërrim” e poetit të njohur Ali Asllani, si një formë proteste, siç thotë vetë ai, “për të gjithë sistemin”.
Vargjet e përzgjedhura nga poezia “Hakërrim” janë një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj abuzimit me pushtetin, korrupsionit, dhe shpërfilljes së vlerave kombëtare.
“Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças, Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!”
Poezia ngre zërin kundër një klase politike që, sipas poetit dhe sipas emigrantit që sjell këtë poezi si mesazh ka tradhtuar parimet e shërbimit ndaj popullit, duke u kthyer në përfitues të pasurisë së përbashkët përmes “dallaverave” dhe uljes dinjitetit kombëtar.
“Grand Kordon i zotris’sate, që në gji të kan’ vendosur, ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut të veremosur.”
Zëri i shqiptarëve jashtë vendit mbetet i gjallë, i ndjeshëm dhe i lidhur fort me dhimbjet e vendit të tyre. Ai e mbyll mesazhin e tij me thirrjen për drejtësi:
“Koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!”
“Hakërrim”
Autori: Ali Asllani
Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë, nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë! Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças, Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!
Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka, të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
Grand Kordon i zotris’sate, që në gji të kan’ vendosur, ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut të veremosur; dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr’, ësht’ trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!
Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët, sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët!
Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira, ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar’ në errësira! Ç’na pa syri, ç’na pa syri!… Hunda juaj ku nuk hyri: te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!
Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar, dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’
Dhe për një kërkoni pesë, po më mir’ njëzet e pesë.
Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!
Edhe ju të robëruar, rob në dor’ të metelikut, fshini sofrat e kujtdoj’, puthni këmbën e armikut!
Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve, koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!
Ju do thoni si të doni… po e drejta dërmon hekur!