Prej disa ditësh, liqeni Artificial i Tiranës dhe parku përreth kanë pësuar një ndotje masive shoqëruar me erë të rëndë dhe padureshme.
Qytetarët që kanë denoncuar këtë ndotje thonë se kur ecin në këmbë në këtë zonë janë detyruar të mbulojnë hundët për shkak të erës së rëndë që vjen nga uji i liqenit.
Sipas një denoncimi anonim, gjendja është bërë e padurueshme, veçanërisht për fëmijët që stërviten dhe luajnë në zonën përreth.
“Po ecja pranë liqenit dhe shikoja njerëzit me dorën te hunda. Në fillim nuk kuptova pse, por pastaj e ndjeva edhe vetë. Aroma është shumë e rëndë. Thjesht nuk mund të qëndrosh aty,” – thotë qytetari denoncues.
Denoncuesi thekson se kjo nuk është thjesht një çështje estetike apo shqetësimi i përkohshëm, por një rrezik serioz për shëndetin, veçanërisht për të vegjlit që zhvillojnë aktivitete sportive dhe rekreative në atë zonë.
“Ne vijmë për ajër të pastër, por po largohemi të helmuar. Kjo situatë është absurde. A ka ndonjë institucion që e kontrollon liqenin?!”
Qytetarët kërkojnë një ndërhyrje të menjëhershme për të zbuluar shkakun e ndotjes dhe për të garantuar sigurinë mjedisore në një nga hapësirat më të rëndësishme publike të kryeqytetit pasi nga ndotja po ngordhin edhe gjallesat ujore.
Sipas ekspertëve, një nga shkaqet kryesore të kësaj situate është derdhja e ujërave të zeza të patrajtuara në liqen, e cila ka sjellë lulëzim të algave të dëmshme – kryesisht cianobakteri Microcystis aeruginosa. Ky organizëm i rrezikshëm konsumon oksigjenin në ujë dhe lëshon toksina që dëmtojnë organizmat e tjerë, duke shkaktuar ngordhjen masive të faunës ujore.
Denoncimi 1:
Përshëndetje. Te Liqeni Artificial afër kopështit zoologjik liqeni bie erë shumë të rëndë Po shikoja njerëzit që kalonin me dorë në hundë. Thashë me vete.. Përse njësoj këta duart në hundë? E kuptova dhe unë veprova si qytetarët e tjerë. Vemi për ajër të pastër. Jo të sëmuremi
Denoncimi 2:
Gjendja e liqenit sot dhe aroma e keqe kundermon. Anonim ju lutem Po na helmojn femijet pasi sterviten aty pran