Alarm mjedisor në Mëzez, banorët të rrethuar nga ndotja e Lanës

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 24.04.2025, 13:52

Një situatë tejet e rëndë mjedisore po i bën të pamundur jetesën dhjetëra familjeve në zonën e Mëzezit në Tiranë. Lumi Lana, që kalon shumë pranë banesave të tyre, prej vitesh është lënë në harresë totale. I papastruar, i mbushur me mbeturina dhe i ndotur rëndë nga ujërat e zeza, ai është kthyer në një kërcënim serioz për shëndetin publik.

“Ka vite që askush nuk ka vënë dorë. Kemi bërë ankesa të shumta në polici bashkiake dhe institucione të tjera, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Askush nuk ka ardhur të shohë nga afër situatën apo të marrë masa konkrete,” – shprehet një qytetar i zonës, në emër të gjithë komunitetit.

Banorët përballen çdo ditë me një erë të padurueshme që vjen nga kanali i ndotur, e cila vjen në rritje sidomos gjatë stinës së verës. Kjo aromë, e përzier me ndotjen vizuale dhe mungesën e higjienës, ka krijuar një ambient të pabanueshëm për dhjetëra familje.

Në një video të siguruar nga qytetarët, shfaqet qartë gjendja katastrofike e lumit, me mbetje të hedhura në mënyrë të pakontrolluar dhe ujë të zi që rrjedh lirshëm pa asnjë ndërhyrje nga institucionet përkatëse.

Banorët apelojnë për ndërhyrje të menjëhershme nga Bashkia e Tiranës dhe institucionet përgjegjëse për pastrimin dhe rehabilitimin e këtij segmenti të Lanës në Mëzez. Ata kërkojnë një zgjidhje afatgjatë dhe angazhim konkret, përpara se situata të marrë përmasa edhe më të rënda.

“Nuk po jetojmë dot më. Thjesht kërkojmë ajër të pastër dhe një mjedis normal për fëmijët tanë,” – thonë ata me shqetësim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit