Vdekja e 16-vjeçarit me Jetski, familjarët: Kanë kaluar gati 2 vite, asnjë fajtor para ligjit

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 24.04.2025, 13:56

Kur kanë kaluar pothuajse dy vite nga ngjarja tragjike që i mori jetën 16-vjeçarit Klei Xhaja, ndërsa po lundronte me një Jet Ski në Llaman, asnjë person nuk është shpallur fajtor dhe familja vijon të kërkojë drejtësi.

Ditën e djeshme u zhvillua seanca e radhës gjyqësore, por për fat të keq, sipas familjarëve, prokurori i çështjes e shtyu sërish procesin për në muajin maj, pa paraqitur pretencë dhe pa caktuar asnjë përgjegjës për vdekjen e adoleshentit.

Familjarët thonë se pronari i jetskive, Renato Panajoti, vijon të jetë i lirë edhe pse për qëllime fitimi u dha një jetski tri të miturve, Kleit, që humbi jetën, dhe dy shokëve të tij Rigersi dhe Danieli.

“Po bëhen dy vite që Klei nuk është më me ne dhe ne ende nuk kemi një përgjigje. Asnjë nuk ka dalë fajtor. Drejtësia po na mban peng me heshtje e zvarritje,” – u shprehën familjarët, të zhgënjyer nga mungesa e transparencës dhe vendimeve konkrete.

Ngjarja ndodhi gjatë verës së vitit 2023 në Llaman ku Klei ndodhej për pushime bashkë me miqtë e tij. Ai humbi jetën tragjikisht pasi jetskia e tij u përplas me atë të shokëve, që dyshohet se ishin dhënë pa dokumentacion të rregullt dhe pa kushte sigurie. Për këtë arsye, familjarët kërkojnë që të gjithë përgjegjësit të vihen përpara ligjit.

Ata theksojnë se nuk do të ndalen në kërkesën për drejtësi dhe paralajmërojnë se, nëse zvarritjet vazhdojnë, do të ndjekin çdo rrugë ligjore dhe publike për të denoncuar këtë padrejtësi.

Denoncimi i familjarëve:

Doja të bëja me dije një situatë të rëndë dhe të dhimbshme që po kalojmë si familje. Dje, më 23 prill 2025, u zhvillua seanca e tretë gjyqësore për vdekjen e vëllait tim, por sërish nuk u mor asnjë vendim. Prokurori Arjan Xhaferri e shtyu seancën për në datën 7 maj 2025, ora 14:30, pa dhënë pretencë për të pandehurin.

Vëllai im ka 1 vit e 7 muaj që ka ndërruar jetë tragjikisht, pas një aksidenti në det, ku u përplas nga një Jet Ski i drejtuar nga një i mitur, vetëm 16 vjeç. Mjeti lundrues nuk kishte asnjë masë sigurie, kontrolli dhe ishte jashtë çdo rregulli ligjor. Sipas nenit 289/1 të Kodit Penal, kjo ngjarje përbën "mosrespektim të rregullave të punës me pasojë vdekjen", por deri më sot: Asnjë nuk është marrë i pandehur, asnjë nuk është vendosur në burg dhe asgjë nuk po vendoset.

Thjesht po zvarritin procesin, duke luajtur me dhimbjen dhe durimin tonë. Duam drejtësi. Nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për vëllain tonë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit