Në kompleksin e pallateve Mesaplik, në Rrugën "Aleksandri i Madh" në zonën e Astirit, një situatë alarmante po kërcënon seriozisht shëndetin publik. Një makinë e braktisur në hyrje të njërit prej pallateve është kthyer prej kohësh në një kosh plehrash, duke u shndërruar në vatër infeksionesh mes një komuniteti ku banojnë mbi 100 familje.
Mjeti është totalisht i dëmtuar, pa xhama, dhe i mbushur me mbetje të gjithfarëllojshme. Për më tepër, mbi të janë hedhur edhe dyshekë të vjetër, duke përkeqësuar gjendjen dhe duke krijuar një ambient të papranueshëm për jetesë. E gjithë zona përreth është e ndotur dhe e lënë në mëshirë të fatit, ndërsa rreziku për përhapje sëmundjesh rritet çdo ditë, veçanërisht me afrimin e stinës së verës.
Banorët kanë ngritur shqetësimin në mënyrë të përsëritur pranë Bashkisë së Tiranës, Njësisë Administrative përkatëse dhe përmes portalit të bashkëqeverisjes, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë konkrete.
“Askush nuk vjen ta heqë makinën dhe të pastrojë zonën. Po na rrezikohet shëndeti, kemi fëmijë të vegjël që luajnë përreth. Kjo situatë është bërë e padurueshme,” – shprehen banorët përmes një denoncimi publik.
Ata apelojnë për ndërhyrje urgjente nga autoritetet për të hequr mjetin dhe për të dezinfektuar zonën përreth, përpara se situata të përkeqësohet më tej. “Nuk po kërkojmë luks – po kërkojmë thjesht të jetojmë në një vend të pastër e të sigurt.”