Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka publikuar një deklaratë për shtyp ku shpreh shqetësimin për një rast të dhunës së pretenduar fizike dhe psikologjike ndaj një të mituri 14-vjeçar, i cili është shoqëruar nga Policia më 12 prill 2025 në zonën e Kodrës së Liqenit, Tiranë.
Sipas prindërve të të miturit J.G, i cili është ndaluar për hedhje kapsollash, djali i tyre është dhunuar nga efektivët e Komisariatit të Policisë Nr. 1, çka është reflektuar më pas në një hematomë pranë syrit dhe diagnozën mjekësore “Contuzion capitis, goditje me grushta”.
KShH thekson se gjatë verifikimit të bërë më 22 prill në Komisariat, janë konstatuar mospërputhje dhe parregullsi në dokumentacionin e të miturit, përfshirë korrigjime në emra, orare dhe mungesën e vizitës mjekësore në vendngjarje. Psikologia e regjistruar në dosje nuk ka qenë e pranishme në komisariat, por vetëm në Spitalin e Traumës, ku djali është dërguar vetëm pas ndërhyrjes së prindërve.
Në deklaratën e saj, KShH shprehet se trajtimi ndaj të miturit ka qenë në kundërshtim me ligjin, duke përmendur shkelje të Kodit të Procedurës Penale dhe Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur. Po ashtu, më datë 13 prill, prindërit kanë depozituar një kallëzim në Agjencinë e Mbikqyrjes Policore dhe në Prokurorinë e Tiranës.
KShH i bën thirrje institucioneve kompetente të hetojnë këtë rast me përparësi dhe seriozitet, për të siguruar drejtësi dhe për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.