Për muaj me radhë, Papa Françesku fliste në telefon pothuajse çdo natë me njerëzit që strehoheshin në Kishën e Familjes së Shenjtë në qytetin e shkatërruar të Gazës, një ritual që përpiqej ta vazhdonte edhe gjatë kohës në spital.
Kisha mbajti meshë të hënën, pasi u shpall vdekja e Papës. Françesku ishte një kundërshtar i hapur i konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit.
“Më shumë se një vit e gjysmë telefononte çdo ditë, çdo ditë, donte të ndihmonte njerëzit, të mbronte fëmijët. Ishte shërbëtor i përulur i Zotit. E humbëm në ditën e shenjtë të Pashkëve, për ne, një shenjë mëshire hyjnore”, u shpreh At Gabriel Romanelli.
Sipas At Romanellit, telefonata e fundit ishte të shtunën, vetëm dy ditë para vdekjes së Papës.
“Na falënderoi për gjithçka që bëmë këtu dhe bekoi të gjithë popullin në Gaza, jo vetëm të krishterët”, tha ai.
George Antone, drejtues i komitetit të emergjencës pranë kishës, tha për Reuters: “Çdo ditë, Papa Françesku ishte me ne. Luftoi për ne në çdo drejtim. I thoshte secilit prej nesh: ‘Jam me ju, mos kini frikë’. Humbëm një shenjtor.”
Që nga shpërthimi i luftës më 7 tetor 2023, Papa Françesku ka qenë një prej zërave më të fuqishëm ndërkombëtarë që ka dënuar dhunën nga të dyja palët, duke bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, lirimin e pengjeve dhe zgjidhjen e konfliktit mes dy shteteve. Ai ka denoncuar publikisht vrasjen e dy grave të krishtera palestineze dhe ka kërkuar një hetim ndërkombëtar për akuzat ndaj Izraelit për krime lufte, të cilat Tel Avivi i ka mohuar kategorikisht. Edhe në mesazhin e tij të fundit, të dielën e Pashkëve, ai përsëriti thirrjen për paqe.
“Ne humbëm një shenjtor që na mësoi çdo ditë se si të jemi të guximshëm, si të jemi të durueshëm dhe të qëndrojmë të fortë. Humbëm një njeri që luftoi çdo ditë në çdo drejtim për të mbrojtur këtë pakicë”, tha për Reuters George Antone, 44 vjeç, kreu i komitetit të urgjencës në Kishën e Familjes së Shenjtë në Gazë.