Ministrja në detyrë, Artane Rizvanolli ka konfirmuar aksionin policor të mëngjesit të sotit, ku është mbyllur kompania paralele e Serbisë e ujësjellësit dhe mbeturinave “Novo Javno Preduzece” e cila ka funksionuar në Shtërpcë.
Në njoftimin përmes rrjetit social “Facebook”, Rizvanolli bëri të ditur se pas mbylljes të kompanisë e cila ka vepruar në mënyrë ilegale në Kosovë, nuk do të ketë vend për strukturat paralele.
“Asnjë institucion paralel i Serbisë nuk ka vend në Republikën e Kosovës. Asnjë paralelizëm i institucioneve tona e nën direktivat e Beogradit brenda territorit të vendit tonë nuk do të funksionojë në asnjë formë. Pas kërkesës së Njësisë së Mbikqyrjes së Ndërmarrjeve Publike drejtuar Policisë së Kosovës, sot është mbyllur kompania paralele e Serbisë e ujësjellësit dhe mbeturinave “Novo Javno Preduzece” e cila ka funksionuar në Shtërpcë.
Ministria e Ekonomisë sipas mandatit dhe mekanizmave të saj është në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim dhe në mbarë territorin e Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim do të punojmë në vazhdimësi dhe pa u ndalur.
Falënderoj Policinë e Kosovës për mbështetjen dhe njëherit kërkoj nga ta dhe nga Prokuroria hetime të menjëhershme mbi dëmet dhe përfitimet që janë sjellë nga veprimtaria e jashtëligjshme e këtij institucioni paralel të Serbisë.”, ka shkruar Rizvanolli.