Karnavalet e Nartës, një festë me rrënjë të lashta pagane, sollën edhe këtë vit ngjyra, muzikë dhe ritme në fshatin e njohur të Vlorës. Për tre ditë me radhë, banorët festuan me kostume të frymëzuara nga koha antike, këngë dhe valle.
Tradita është trashëguar brez pas brezi dhe konsiderohet si një nga ngjarjet më të dashura për komunitetin. Rikthimi i emigrantëve nga Greqia, Gjermania e Zvicra i ka dhënë festës një dimension edhe më të veçantë, duke e bërë Nartën epiqendrën e gëzimit dhe bashkimit familjar.

Këtë vit është vërejtur edhe një tendencë në rritje e burrave që maskohen si gra, si pjesë e kostumimit dhe festimeve karnavaleske.
Edicioni i këtij viti ka shënuar një pjesëmarrje rekord, ndërsa festimet po konsiderohen si ndër më të suksesshmet e viteve të fundit. Organizatorët shpresojnë që karnavalet të kthehen në një atraksion turistik të rëndësishëm, që promovon kulturën autentike shqiptare përtej kufijve.
