Një javë pas ndarjes nga jeta në mënyrë tragjike të futbollistit 29-vjeçar Bledar Hajdari, shokët e tij të kalçetos e kanë nderuar me një minutë heshtje.
“Shoket è ekipit ne respekt te shokut qe na vdiq para nje jave ne fushe Bledar Hajdari”, shkruan njëri prej tyre.
Bledari, pjesë e ekipit FC Dajti, humbi jetën mbrëmjen e 15 prillit gjatë një ndeshjeje ndaj FC Lumninesen. Shkaku i vdekjes ishte një arrest kardiak, i cili fatkeqësisht i mori jetën menjëherë, duke tronditur jo vetëm të pranishmit dhe ekipin e tij, por edhe mbarë komunitetin sportiv në vend.
Miqtë e Bledarit kanë raportuar më herët për JOQ se ndihma e parë nuk ishte e menjëhershme, pasi ambulanca që mbërriti në vendngjarje ishte pa mjek. I vetmi që tentoi t’i jepte ndihmë ishte fizioterapisti i ekipit, por fatkeqësisht pa sukses.
Humbja e Bledarit ka lënë një boshllëk të madh te familjarët, miqtë dhe gjithë ata që e kanë njohur si sportist e si njeri.