Një nga tenderët më të çuditshëm të fundit mban firmën e Dritan Agollit, kreut të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Në një procedurë për “shërbimin e kolaudimit të punimeve për objektet në zbatim të programeve IVR dhe 100 F”, 9 nga 10 firmat garuese kanë dorëzuar të njëjtën ofertë, deri në qindarkë. Vetëm një firmë guxoi të dalë nga rreshti – dhe u skualifikua.
Sipas dokumenteve të siguruara nga JOQ, fondi limit i tenderit ishte 13.103.185 lekë, ndërsa 9 firmat ofruan të gjitha nga 11.121.152 lekë. Firma e vetme që ofroi më shumë, “INFRATECH”, me 12.986.807 lekë, u përjashtua nga gara për mungesë dokumentacioni.
Fituesi? Firma “NET-GROUP”, e cila kishte të njëjtën ofertë si të gjithë të tjerët, por mori pak më shumë pikë – 295.50 kundrejt 294.00 të firmës tjetër “STATENG” & MCE & PRO GREEN. Edhe firmat e tjera si “ARENA MK”, “ZENIT&CO”, “A&E ENGINEERING”, “NOVATECH STUDIO”, “ERSI/M”, dhe “G B Civil Engineering” ishin në të njëjtën linjë financiare.
Procedura është konsideruar tepër e dyshimtë, duke ngritur dyshime të forta për marrëveshje të mundshme paraprake mes firmave apo orientim nga brenda institucionit. Kur të nëntë bien në një mendje, lind pyetja: Rastësi, koordinim, apo “drejtim nga lart”?
Dhe për ironi, përzgjedhja për tenderin që kishte si kriter ofertën ekonomikisht më të favorshme, u bë në fakt me “pikavarazh”, duke e kthyer në një garë që më shumë ngjan me lotari, sesa me një proces real konkurrues.