Në redaksinë e JOQ ka mbërritur një tjetër denoncim nga qytetarët, këtë herë për një problem që po vazhdon prej kohësh pa zgjidhje. Bëhet fjalë për segmentin poshtë mbikalimit të Laçit në autostradë, ku sipas denoncuesit, rruga është kthyer në një kërcënim serioz për drejtuesit e mjeteve për shkak të një grope tepër të rrezikshme të krijuar në mes të rrugës.
“Përshëndetje JOQ, desha me denoncu poshtë mbikalimit të Laçit në autostradë. S’merr kush masa me e rregullu, gropa është bërë rrezik për makinat”, shkruan qytetari.
Përveç dëmeve të mundshme materiale që këto gropa mund të shkaktojnë, ato përbëjnë një rrezik të drejtpërdrejtë edhe për jetën e drejtuesve dhe pasagjerëve. Ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese është mungesa e ndërhyrjes nga institucionet përkatëse, pavarësisht se kjo është një rrugë me fluks të madh qarkullimi.
Qytetarët apelojnë për ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet, përpara se ky problem të shndërrohet në tragjedi. Rrugët e vendit nuk kanë nevojë për më shumë gropa, por për më shumë përgjegjësi.