Ka një kthesë në hetimet për atentatin e ndodhur më 17 prill në Lundër, ku u plagosën 4 të rinj që udhëtonin me një G Class, midis tyre dhe dy vëllezër të mitur, 11 dhe 17-vjeç.
Hetuesit kanë përjashtuar pistën se objektiv ishte gruaja e Sidorel Prendit (alias Roan Brahimi), shtetasja me iniciale A.B., e cila në atë kohë ndodhej në spitalin e Lezhës, ku i ishte qëlluar vjehrri.
Nga kamerat e sigurisë rezulton se atentati ndodhi rreth orës 21:30. Pak minuta më pas, makina me të rinjtë mbërrin në Lundër e qëlluar me dhjetëra plumba.
Rreth 4-5 minuta më vonë kalon një tjetër G Class, ende i paidentifikuar për shkak të pamjeve të paqarta të targës.
Tashmë hetimet janë përqendruar pikërisht te ky mjet i dytë, duke ngritur dyshime se mund të ketë qenë ai shënjestra e atentatorëve dhe jo katër të rinjtë që ndodheshin në automjetin e parë.