Një skenë e shpeshtë por aspak për t’u lavdëruar u regjistrua sërish në një nga akset kryesore të vendit: disa drejtues automjetesh, pa pikë ndjeshmërie apo ndërgjegje qytetare, u futën menjëherë pas një ambulance që përpiqej të çante rrugën mes trafikut për të shpëtuar një jetë në aksin Tiranë-Durrës.
Pamjet flasin vetë: dritat e ambulancës ndezur, sirena që ulërin për përparësi, ndërsa pas saj, një varg makinash që përfitojnë nga "korridori i emergjencës" për të përshpejtuar udhëtimin e tyre, si në një garë të turpshme pa ndjenja njerëzore.
Këta “trimat e xha Jahos” nuk janë të guximshëm, por thjesht shembulli më i keq i mungesës së respektit për ligjin dhe për jetën njerëzore. Në një vend ku ambulancat luftojnë me kohën për të mbërritur te pacientët, këto akte të papërgjegjshme nuk janë thjesht të dënueshme ligjërisht – por edhe moralisht.
Ka ardhur koha të ndalim këtë kulturë të ngulitur të “rregullit të vetes”, sepse jeta e dikujt tjetër nuk është një shans për të kaluar më shpejt në autostradë.