Avokati dhe kandidati për deputet nga radhët e PD-ASHM, Altin Goxhaj, në një intervistë për TVA News, ka ngritur alarmin për një skemë të paligjshme që, sipas tij, po zhvillohet përmes Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT). Ai i bën thirrje qytetarëve të refuzojnë dorëzimin e fotokopjeve të kartës së identitetit dhe dokumenteve të pronësisë “operatorëve të terrenit”, të cilët, sipas tij, janë patronazhistë të angazhuar për mbledhjen e të dhënave në funksion të zgjedhjeve të 11 majit.
“Në çdo lagje të Tiranës, bashkë me faturën e ujit, qytetarëve po u vjen edhe një fletë ku kërkohet që ata të dorëzojnë dokumentet më të ndjeshme të pronësisë te UKT. Nuk ka asnjë bazë ligjore për këtë kërkesë. Këta ‘operatorë’ janë në fakt patronazhistë që mbledhin të dhëna për qëllime elektorale”, deklaroi Goxhaj gjatë intervistës.
Ai thekson se kërkesa për dorëzimin e dokumenteve si kontrata e shit-blerjes, certifikata e pronësisë apo aktet e trashëgimisë nuk ka mbështetje ligjore dhe është një ndërhyrje e rëndë në privatësinë e qytetarëve.
“Ato dokumente i ke vetëm ti, noteri dhe Kadastra. Bashkia nuk ka të drejtë të të kërkojë një gjë të tillë, aq më pak përmes UKT-së. Nëse i duan, të ndjekin rrugën ligjore. Nuk ja jep asnjë dokument patronazhistëve të ujësjellësit”, tha ai me tone të ashpra.
Avokati shtoi se ky është një skenar i organizuar nga Edi Rama, i cili, përveçse Kryeministër, mban edhe postin e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, duke e cilësuar këtë veprim si një shkelje të rëndë të të drejtave të qytetarëve.
Ai iu bëri thirrje qytetarëve të ngrenë zërin, të mos bien pre e presioneve apo thirrjeve telefonike të operatorëve të terrenit dhe të kërkojnë shpjegim zyrtar nga Bashkia Tiranë:
Mbi çfarë ligji kërkohen këto dokumente?
Kush e ka dhënë këtë urdhër?
Çfarë ndodh me të dhënat pasi dorëzohen?
“Mos e bëni këtë gabim! Mos ua dorëzoni patronazhistëve dokumentet e pronësisë suaj! Ju keni të drejtë t’i ruani të dhënat tuaja dhe t’i mbani të sigurta”, përfundoi Goxhaj.
Ai paralajmëroi se kjo çështje do të ndiqet edhe në rrugë ligjore dhe do të jetë një nga temat kryesore të fushatës së tij.