Vritet në mes të rrugës një 19 vjeçar shqiptar në Francë

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 21.04.2025, 14:28

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Clermont-Ferrand në Francë, mbrëmjen e së dielës, ku një i ri shqiptar, vetëm 19 vjeç, është vrarë me armë zjarri në rrugë, pranë stacionit të trenit SNCF, konkretisht në Avenue Charras.

Sipas mediave franceze, i riu është qëlluar nga një makinë në lëvizje, ndërsa autori ka ikur menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Policia dhe shërbimet emergjente kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë tentuar ta reanimonin të riun, por përpjekjet rezultuan të pasuksesshme.

Viktima është shpallur i vdekur nga mjekët emergjentë pak para orës 20:30.

Burime nga policia kanë bërë të ditur për mediat lokale se i riu shqiptar nuk ka qenë i njohur më parë për autoritetet dhe nuk kishte precedent penal.

Për hetimin e rastit është angazhuar Njësia për Krimin e Organizuar dhe të Specializuar (DCOS), e cila ka nisur menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Identiteti i viktimës nuk është bërë ende i ditur nga mediat franceze.

Motivi i kësaj vrasjeje brutale është ende i paqartë, por fakti që krimi ka ndodhur pranë një pike të njohur për shpërndarje droge, ka ngritur dyshime për lidhje të mundshme me prapavijë kriminale.

Ngjarja ka tronditur komunitetin shqiptar në Francë, ndërsa autoritetet janë nën presion për të zbardhur sa më shpejt këtë vrasje të rëndë, e cila ndodhi në mes të rrugës, në një zonë të frekuentuar dhe në orar kur qarkullimi ishte ende i lartë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit