Një episod tensioni mes figurave të Partisë Demokratike ka tërhequr vëmendjen gjatë një takimi elektoral të zhvilluar në zonën e Kombinatit, në Tiranë.
Në prani të kreut të PD-së, Sali Berisha, dhe përkrahësve të shumtë, një debat i pazakontë ka shpërthyer mes dy përfaqësuesve demokratë: Edi Palokës, një ndër figurat më të vjetra të së djathtës, dhe kandidatit të ri për deputet, Akil Kraja.
Gjatë prezantimit të programit elektoral dhe listës së kandidatëve për qarkun e Tiranës, të dy demokratët janë përfshirë në një përplasje për rendin e fjalës.
Momenti është transmetuar LIVE dhe nuk ka kaluar pa u vënë re nga të pranishmit. Në pamjet e publikuara, shihet Paloka duke i kërkuar Krajës të presë radhën për të folur, ndërsa tensioni mes tyre është i dukshëm edhe nga gjuha e trupit.
Në sfond të debatit qëndronte edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili nuk ndërhyri, por e ndoqi situatën i ulur pranë tyre.