Liqeni Artificial i Tiranës po përballet sërish me ndotje të rëndë, me pasoja të dukshme për gjallesat ujore.
Ditët e fundit, në brigjet e liqenit janë parë sasi të konsiderueshme peshqish të ngordhur, duke shkaktuar shqetësim te qytetarët dhe ambientalistët.
Sipas ekspertëve, një nga shkaqet kryesore të kësaj situate është derdhja e ujërave të zeza të patrajtuara në liqen, e cila ka sjellë lulëzim të algave të dëmshme – kryesisht cianobakteri Microcystis aeruginosa. Ky organizëm i rrezikshëm konsumon oksigjenin në ujë dhe lëshon toksina që dëmtojnë organizmat e tjerë, duke shkaktuar ngordhjen masive të faunës ujore.
Organizatat mjedisore dhe ekspertët kërkojnë ndërhyrje urgjente për të ndalur ndotjen dhe për të mbrojtur ekosistemin e liqenit, përmes ndalimit të shkarkimeve të ujërave të zeza, monitorimit të rregullt dhe edukimit të publikut mbi rëndësinë e mbrojtjes së këtij mjedisi natyror urban.
Liqeni Artificial mbetet një nga hapësirat më të rëndësishme rekreative për banorët e Tiranës, dhe ruajtja e tij duhet të jetë prioritet për të gjitha institucionet përkatëse.