Vranë 15 mjekë në Gaza, ushtria izraelite: Ishte një keqkuptim!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 20.04.2025, 22:07

Ushtria izraelite ka pranuar se një "keqkuptim operacional" dhe një "shkelje e urdhrave" çuan në vrasjen e 15 punonjësve të emergjencës në Gaza muajin e kaluar.

Hetimi i kryer nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) evidentoi disa dështime serioze. Zëvendëskomandanti i njësisë që mori pjesë në incident është shkarkuar për raportim të pasaktë dhe jo të plotë gjatë analizës së ngjarjes.

Ngjarja ndodhi më 23 mars, kur një autokolonë e Kryqit të Kuq Palestinez dhe e Kombeve të Bashkuara, që përfshinte ambulanca, një makinë të OKB-së dhe një zjarrfikëse, u qëllua nga ushtria izraelite. Si pasojë, humbën jetën 14 punonjës të emergjencës dhe një punonjës i OKB-së.

IDF pretendoi se ushtarët menduan se kishin të bënin me një kërcënim armik dhe se gjashtë nga viktimat ishin pjesëtarë të Hamasit – por nuk dha prova konkrete për këto pretendime, pavarësisht se emrat e viktimave janë të njohur publikisht.

Raporti i IDF fajësonte terrenin e rrezikshëm, pamjen e kufizuar gjatë natës dhe perceptimin e komandantit në terren për një kërcënim të menjëhershëm. Por një video e gjetur në telefonin e një mjeku të vrarë tregoi se autokolona kishte dritat dhe sinjalizimet ndezur dhe punonjësit kishin veshje reflektuese, duke rrëzuar versionin e parë të Izraelit.

Trupat e 15 viktimave ishin mbuluar me rërë dhe u zbuluan vetëm pas një jave, për shkak të pamundësisë së agjencive ndërkombëtare për të hyrë në zonë.

IDF gjithashtu konfirmoi se mban të ndaluar një mjek të Kryqit të Kuq Palestinez, Assad al-Nassasra, për të cilin organizatat ndërkombëtare po kërkojnë lirimin.

Shumë organizata humanitare, përfshirë Kryqin e Kuq dhe OKB-në, kanë bërë thirrje për një hetim të pavarur mbi këtë ngjarje.

Ky nuk është rasti i parë: vitin e kaluar, pas vrasjes së 7 punonjësve të organizatës World Central Kitchen, ushtria izraelite shkarkoi dy oficerë dhe mori masa disiplinore ndaj të tjerëve.

Që prej nisjes së luftës më 7 tetor 2023, kur Hamasi sulmoi Izraelin duke vrarë rreth 1200 persona dhe marrë peng 251 të tjerë, ofensiva izraelite në Gaza ka lënë mbi 51,200 të vrarë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit