Një breshkë gjigante deti është gjetur e ngordhur pasditen e sotme në bregdetin e Karpenit, në Kavajë. Ngjarja ka tërhequr vëmendjen e pushuesve dhe banorëve të zonës. Sipas dëshmitarëve, breshka ishte e dëmtuar dhe i mungonte një krah, çka ngre dyshime për shkaqet e ngordhjes së saj.
Fotografia e siguruar për JOQ Albania nga një pushues tregon qartë gjendjen e breshkës se krahu i majtë mungon plotësisht, ndërsa zona përreth ka inde të ekspozuara. Kjo mund të jetë pasojë e një lëndimi të rëndë, si një sulm nga grabitqarët, ndërhyrje njerëzore, apo një incident me rrjeta peshkimi ose helika anijesh. Trupi i breshkës duket i dekompozuar pjesërisht, me lëkurë të thatë dhe të çarë, çka sugjeron se mund të ketë qenë e ngordhur disa ditë para se të gjendej.
Breshkat gjigante të detit, si ato të specieve Caretta caretta (breshka e zakonshme e detit) dhe Chelonia mydas (breshka e gjelbër), janë të pranishme në ujërat e Mesdheut dhe shpesh vizitojnë bregdetin shqiptar, veçanërisht gjatë stinëve të ngrohta për të lëshuar vezë. Megjithatë, ato përballen me kërcënime të mëdha si ndotja, peshkimi i paligjshëm dhe shkatërrimi i habitateve.
Në Shqipëri, raste të ngjashme janë raportuar më herët, si në Durrës dhe Vlorë, ku breshkat detare janë gjetur të ngordhura, shpesh të kapura në rrjeta ose të lënduara nga mjetet lundruese.
Ekspertët mjedisorë theksojnë se ndotja dhe aktivitetet njerëzore po rrezikojnë seriozisht këto specie të mbrojtura. Sipas një raporti të Shoqatës Herpetofauna Shqiptare, ndotja në grykëderdhjet e lumenjve dhe bregdetet shqiptare po ndikon negativisht në jetën e breshkave detare. Kjo ngjarje në Karpen është një tjetër thirrje për veprim për të mbrojtur këto krijesa dhe për të reduktuar ndikimin e njeriut në ekosistemet detare.
JOQ Albania apel për më shumë ndërgjegjësim dhe masa mbrojtëse për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen.