Një 53-vjeçar shqiptar është arrestuar ditën e djeshme në Perugia të Italisë pasi u kap me një sasi të madhe kokaine dhe parash cash.
Mediat italiane raportojnë se shqiptari ndodhej në një automjet që lëvizte në mënyrë të dyshimtë në aksin Perugia–Bettolle. Pas ndalimit, ai u shfaq nervoz dhe nuk dha shpjegime të besueshme, çka shtyu policinë të kontrollonte makinën në mënyrë të detajuar.
Gjatë kontrollit, efektivët zbuluan një ndarje të fshehur nën sediljen e pasagjerit, ku ndodhej një pako me kokainë, rreth 1 kilogram. Pas kësaj, hetimet çuan në një garazh në Salsomaggiore, ku u gjetën edhe 39 pako të tjera me drogë, duke e çuar totalin në mbi 40 kilogramë kokainë. Po ashtu, u sekuestruan 189 mijë euro cash, të dyshuara si përfitime nga trafiku i drogës.
Sipas autoriteteve italiane, vlera e drogës së sekuestruar në treg kap rreth 4 milionë euro. Shqiptari u arrestua dhe u dërgua në paraburgim në Perugia, ku do të qëndrojë deri në seancën për dhënien e masës së sigurisë.