Një çift bashkëshortësh ka ndërmarrë një akt humanitar të vogël në dukje, por me një domethënie të madhe, duke zgjedhur të ndihmojnë dikë pa bërë asnjë zhurmë apo të shfaqen publikisht.
Me sa duket, fëmija i tyre është rritur dhe sexhelonja që përdornin për të nuk u hyn më në punë. Në vend që ta hedhin në mbeturina apo ta harrojnë në ndonjë cep të shtëpisë, ata kanë vendosur ta dhurojnë në një mënyrë mjaft të veçantë.
Sexhelonën e kanë vendosur në një hapësirë publike në Kamëz dhe mbi të kanë lënë një mesazh të shkurtër, por të ngrohtë: "Merre pa merak, e ka pas familja."
Një qytetare që e ka gjetur sendin ka dërguar foton dhe mesazhin në redaksi, duke dashur të bëjë një falënderim publik për këtë gjest fisnik.
“Përshëndetje JOQ. Një familje në Kamëz ka lënë një sexhelonë dhe mbi të një shënim ku shkruhej: ‘Merre pa merak, e ka pas familja.’ Faleminderit!”, – shkruan ajo.
Ky veprim i thjeshtë është një shembull i pastër i solidaritetit dhe kujdesit për tjetrin, një kujtesë se edhe gjërat më të vogla mund të sjellin shumë gëzim për dikë në nevojë.